Banka e Shqipërisë ka kufizuar kredinë që do marrin qytetarët për të blerë pasuri të patundshme. Vendimi ka hyrë në fuqi sot ndërsa do jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga bankat nga 1 korriku 2025.
Sipas vendimit, asnjë bankë nuk do japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% e vlerës së saj që do të thotë se për kredi në lekë për të blerë një banesë me vlerë 10 milionë lekë banka do të financojë maksimumi 8.5 milionë lekë.
Kësti mujor i kësaj kredie nuk do jetë më shumë se 40% e të ardhurave mujore të qytetarit. Nëse të ardhurat mujore janë 100 mijë lekë në muaj, kësti nuk duhet të jetë më i lartë se 40 mijë lekë.
Ndërsa ata që kërkojnë kredi për të blerë një shtëpi të dytë, vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën lekë do jetë 80% e vlerës së pronës. Praktikisht nëse prona do ketë çmim 10 milionë lekë qytetari do marrë 8 milionë lekë kredi. Ndërsa kësti mujor për këtë kredi të dytë do të jetë 35% e të ardhurave mujore.
Kufizimet janë edhe më të ulta kur kredia merret në monedhë të huaj sipas këtij vendimi. Qytetarët që për të blerë pronën e parë do aplikojnë për të kredi në valutë do të marrin vetëm 75% të vlerës. Pra një pronë me çmimi 100 mijë euro do të financohet me 75 mijë euro kredi maksimumi. Ndërsa kësti do të jetë 35% të vlerës së të ardhurave.
Nëse kërkohet kredi në valutë për pronën e dytë, qytetari s’do marrë më shumë se 70% të vlerës kredi, dhe kësti mujor do të jetë jo më shumë se 30% e të ardhurave mujore të kredimarrësit.
Kufizimi i Bankës së Shqipërisë u ndërmor për të frenuar shtrenjtimin e pronave që sipas bankës qendrore është nxitur nga rritja e kreditimit. Për shkak të çmimeve vetëm në rritje, në Shqipëri po shiten më pak apartamente. Sipas shifrave zyrtare vjet u shitën 31 mijë prona nga mbi 35 mijë prona që ishte numri i kontratave në vitin 2023. Afro 50% e banesave të shitura janë blerë me kredi nga qytetarët.