Nga Flurans IlIA – 
Janë të ndryshme mardhëniet e brezave me luftën. Përjetim në kushte të brishta këndvështrimi i botës me sytë e një fëmije. Për disa ka qenë një kontakt i drejtpërdrejtë jetësor. Dashje pa dashje në rolin e debutuesit në dramën marramendëse të luftës. Në fakt në konfliktin më marramendës të historisë. Teoricienët e letërsisë e konsiderojnë ende romanin e këtyre shtatëdhjetë viteve të fundit, një produkt psikologjik me burim kryesisht prej dy Luftërave Botërore. Për disa të tjerë, përfshi brezin e prindërve të mi të lindur në vitet e Luftës së Dytë, ka qenë imazh në formën e uniformave ushtarake të luftës, emblemave, çizmeve, hapave, bajonetave, zërave në gjuhën e huaj të pushtuesit të kohës, të shtënave, ekzekutimeve, të gjitha këto të përhumbura më tej në brymën e mëngjeseve që kanë vijuar mbi Evropë, pasi Lufta e Dytë Botërore u deklarua “arbitrarisht” e mbyllur, si të kishte qenë një ndeshje muskulore e marrë veç me sportivitet absurd, nacionalizëm të sëmurë, dhe ide kundërgoditëse në vorbull të historisë.
Marrëdhënia me luftën si produkt shoqëror transformohet nga trajta e shikimit në aktin e dëgjimit tek brezi pasues. Për ata që erdhën në jetë brigjeve të kapërcimit të këtyre rrjedhave, rrjedhojë psikoemocionale gjithashtu, nuk kishin se si të mos trashëgonin disa fenomene historikë me theks social si zëvendësimin e verbërisë së zjarreve të Luftës së Dytë me shurdhërinë e frikshme të Luftës së Ftohtë. Thyerjen e kufijve dhe barrierave nëpërmjet Bitells dhe Rolling Stones, mu në vijën ndarëse të dy kampeve të frikshëm ideologjik, edhe kjo rrjedhojë e Luftës së Dytë. Vështrimi i këtij brezi bëhet një shikim ndjesor, thellësisht i brendshëm. Fenomen i të parit të luftës pikërisht me syrin e rrëfenjave dhe ndjesive të prindërve. Rikrijim i të gjithë asaj fasade skenike sipas këndvështrimit të një fëmije që, e ndan një brez i tërë nga lufta, produkt i së cilës janë prindërit e tij, filmat, dramat, jetike dhe skenike, romani si produkt i drejt për drejtë social, dhe më gjerë. Sikur leximi dhe vështrimi pa zë. I gatshëm të përmbysë çdo lloj realiteti në favorin e imagjinatës sipas kureshtjes. Kjo është përkatësia dalluese e brezit të pas Luftës së Dytë Botërore. Jam duke folur për fëmijërinë. Shqisat e saj. Përjetimin e luftës me të tjetër këndvështrim.
Pas katër dekadash mbart në sy atë çast fëmijërie ndërsa regjisorja e filmave për fëmijë Xhanfize Keko trokiti në portat e kopshtit tim në kërkim të personazhit të fundit që do e plotësonte ansamblin e aktorëve fëmijë për filmin Tomka dhe shokët e tij. Fëmijë fillova të trashëgoj jetën nëpërmjet syve të kinemasë. Trashëgimi të cilën ndër vite e humba. Por nuk kam humbur akoma zërat e asaj kohe që vazhdoj t’i dëgjoj. – Hej Guri do vish të bëjmë kala me baltë? – dëgjohet një zë tej sekuencave të filmit. Dhe personazhi ynë, pa brekë, i zhveshur, cullak, ashtu si me të vërtetë vocërrakët kridheshin në ujërat e lumenjve, përgjigjet, – Ehu unë do lahem! … Dhe prej aty, drejt e në rrjedhën e ujërave të lumit të fëmijërisë së tij. I kredhur në pështjellime të kthiellta. Shpesh herë të turbullta e plot gjanicë. Të rrjedhshme dhe të rrezikshme, rrëmbesa të cilat shpesh kanë gëlltitur jetë fëmijësh ndër vite. Të helmuara më vonë nga pesticidet e uzinës së armëve në Poliçan.
Skenat e filmit përbëjnë vështrimin e fëmijës që “përjeton” Luftën e Dytë Botërore pikërisht tre dekada pas lufte. Në të gjallojnë rekuizita e kostumeve dhe armatimet. E jashtëzakonshme për kohën kur e mendon se sot gjithëshka është zhdukur. Dekoret. Figurantë. Aktorë. Fëmijë. Subjekt i shpalosur mbi ekranin e madh të kinemasë. Dialogë. Skena. Episode. Një ambient ku koha ishte ndalur dhe përjetohej një tjetër kohë. Bash në këtë vend prej ku, Lufta e Dytë Botërore kishte kaluar, dhe po kalonte sërish me syrin e kinemasë. Një grusht fëmijësh e gjejnë fushën ku luan fëmijëria e tyre, të pushtuar, të rrethuar me tela me gjemba për hir të një kampi ushtarak nazist. Kjo është përballja me “armikun”. Ky është “armiku”. Por, cili armik? Përball meje, në rolin e ushtarit gjerman me uniform, ndodhet figuranti Stavri, djali i rritur i lagjes time që përveç të qenit biond dhe tifoz i ekipit gjerman në futboll nuk ka asgjë të përbashkët me ushtarin e shkretë të luftës që fati e kishte hedhur nga Berlini në Berat! Por duhet, duhet, kështu, sepse ndodhemi në një film. Unë jam Guri, dhe Stavri është Hansi. Duhet pra, të hyj në rolin tim. Dhe Stavri duhet të luaj rolin e tij.
Të qenit brenda këtyre kushteve i jep imagjinatës së fëmijës tjetër ekzistencë, atë të një kohe tjetër. Ishte teje eksituese, njësoj si lojë luftash që të gjithë breznia e brezit tim nuk ngopej duke luajtur shumë më përpara se mes nesh të mbërrinte Spiderman-i, Ironman-i apo Batman-i. Ishte një rikthim në kohë. Përjetim fizik. Një udhëtim nga vitet ’70 drejt një katrahure fizike dhe mendore si lufta! Paradoksalisht tashmë e përjetuar në formën e lojës. Një lojë që vëzhgohej pa pushim nga syri magjik i kamerës që na ndiqte nga pas.
Në shtator të këtij viti jam i ftuar në Branford Connecticut me rastin e premierës së Tomka dhe shokët e tij, restauruar tashmë në format bashkëkohor nga ACP (Albanian Cinema Project) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një punë e gjatë kjo për të nxjerrë nga terri dhe kalbëzimi i indiferencës shiritat e vjetër të filmit shqiptar. Ka të gjitha rrahjet e zemrës me vete njësoj si atëherë fëmijë ku nga një rol minor në raport me fëmijët e tjerë, fillova të improvizoj natyrshëm. Kisha filluar pa e kuptuar të dilja nga koha ime. Roli kishte hyrë pa e kuptuar tek fëmija dhe nuk më ngelej veçse ta interpretoja atë. Nuk ishte një interpretim i mirëfilltë aktoresk. Nuk ishte një shkollë aktrimi. Jo. Them se ishte thjesht një ndjesi natyrore e njëllojtë dhe e pafajshme si vështrimi i syve të prindërve tanë dikur fëmijë, ndërsa kalimthi në rrugët e viteve të luftës mundet të kishin ndeshur Roberton apo Hansin e vërtetë aty. Me të vetmin ndryshim, në realitetin e fëmijërisë time ne ndodheshim në një film. Në një supozim. Në një trill. Portat e të gjitha trilleve ngelen të hapura për çdo lloj interpretimi.
Ndjesina ime për luftën? Një ndjesi natyrore në pragun e portave të interpretimit. Një kureshtje prej fëmije që kërkon të dijë se çfarë gjendet përtej këtyre portave? Mendoj se ky emërues është shumë herë më i fort se problemi që shtron Albert Camus në fjalinë e parë ku merr udhë Miti i Sizifit. Sepse nuk bëhet fjalë ngushtësisht për vetëvrasjen e individit, por për një vetëvrasje kolektive. E tillë është lufta.
Sinqerisht po mundohem t’i jap një përkufizim sa më gjakftohtë subjektit të kësaj eseje për luftën. Do këmbëngulja të ndaja me ju këtë fragment nga shkrimtari Alberto Bevilacqua; “Një imazh më vjen në ndihmë. Mendoj për dhunën agresive me të cilën disa insekte vijnë dhe përplasen me turirin e një automjeti në rrugë e sipër. Kridhen në këtë sakrificë të pafuqishme, sterile dhe të bukur; ndërkohë që jeta e tyre zbulohet, janë tashmë të vdekura; bukuria e tyre reduktohet në një njollë të vogël ngjyrëblu në manushaqe, që shpesh na shoqëron përgjatë orëve të udhës, dhe që përfundon duke na mahnitur. Kjo bukuri nuk manifestohet tek ne veç si një pendim që e përjetojmë. Atëherë ne e ripërsërisim sërish se edhe kjo gjithashtu është jetë, që është realitet – realiteti tjetër është i mundshëm të shfaroset veç me një hiç – ; që është një botë e fatalitetit dhe gjakut e cila ndoshta mundet të na gjykojë. Atëherë, për aq sa qëndrojmë aty, ku më duket se shumë gjëra më ndihmojnë t’u jap një konfigurim ideve të mia; me iluzionin që tërheqja ime mundet të jetë së shpejti, aspak një arratisje, shumë larg batakçillëqeve, kompromiseve, shqyrtimet e mia të gjithë kësaj, në një përmasë ku edhe ekzistenca e tyre nuk mund të gjejë as shkak, as rrënjë.”
Ata që e përjetuan Luftën e Dytë Botërore si akt real. Si një aktrim të detyrueshëm. Të dhunshëm. Pa zgjidhje. Pa supozime. Pa porta shpëtimi. Sepse realiteti i jetës i krodhi në atë vorbull, mbartën dhe ngelën në bindjet e tyre gjersa iu avitën moshës së të shtatëdhjetave e kusur, për kusur në rrjedhë të kohës.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për brezin tim, i cili përjetoi të tjera gjëra. Diktaturën, izolimin, luftën e klasave, dasitë, në jetë reale, paralelisht duke rikrijuar një imazh të Luftës së Dytë që ishte mëma e të gjitha këtyre dukurive të mëvonshme.
Im bir ka për të qenë aktor më i mirë se unë i asaj çka kam përjetuar realisht në kohën e brezit tim. Ndërkohë që zhurmat e Luftës së Dytë do të jenë diçka shumë e largët, shekullore, për ata si fëmijë. Një mardhënie krejt e ndryshme. Pothuajse një ide e pakuptueshme drejt së cilës do fillojnë me kureshtje fëminore të ngrenë pikat e pyetjeve të imagjinares, duke nënshkruar kështu vazhdimësinë e ideve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re