Ditën e sotme Këshilli i Ministrave, ka marrë vendim lidhur me ndryshimin e vendimit për shpërblimin e dhënë për mjekët, infermierët dhe për punonjësit e tjerë shëndetësorë.

Në VKM thuhet se emrat e përfituesve do të miratohen periodikisht me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut të aktivitetit të tyre.

Njoftimi për Shpërblimin:

K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA

***

V E N D I M PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.207, DATË 10.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIE SHPËRBLIMI PËR PERSONELIN, MJEKË, INFERMIERË DHE PUNONJËS TË TJERË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pika 4, e vendimit 207, datë 10.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Lista emërore e përfituesve dhe dokumentacioni justifikues, përfshirë ditët e angazhimit, sipas pikave 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, me qëllim përfitimin e shpërblimit, miratohet periodikisht me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut, që mbart aktiviteti i strukturës shëndetësore, e cila vlerësohet nga sekretariati i ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sekretariati përbëhet nga:

a) 2 përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
b 1 përfaqësues i Institutit të Shëndetit Publik;
c) 1 përfaqësues i Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
ç) 1 përfaqësues i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2022.

Gjithashtu në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është miratuar projektligji për marrëveshjen e arrituar mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimin e tyre. Miratimi i këtij projektligji i hap rrugë njohjes së ndërsjelltë të patentave në të dyja vendet dhe konvertimin e tyre nga qytetarët rezident në secilin prej shteteve.

Njoftimi për njohjen dhe konvertimin e patentave shqiptare në Itali:

V E N D I M PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT ME QËLLIM KONVERTIMI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.209, DATË 29.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimi, miratuar me vendimin nr.209, datë 29.3.2021, të Këshillit të Ministrave, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re