Ka nisur sot procesi i vaksinimit për 250 mjekë dhe infermierë nga Kosova, vaksina anti-covid që janë dhuratë nga shteti shqiptar. Ashtu siç dihet tashmë, procesi i vaksinimit të bluzave të bardha po kryhet në Kukës.

Mësohet se sot dhe nesër do të vaksinohen 500 staf mjekësor.

Ky shtet pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra. Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse vazhdohet me mbingarkesën e spitaleve, do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike.

Të premten, më 19 mars, Kosova ka regjistruar numrin më të lartë të infektimeve ditore gjatë vitit 2021, përkatësisht 828 raste të reja.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 80.621 raste të infektimit. Prej tyre 1.744 pacientë kanë vdekur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re