Autoritetet indiane kanë identifikuar një prej të mbijetuarve nga rrëzimi i avionit në Ahmedabad. Bëhet fjalë për 40-vjeçarin indiano-britanik, Vishwash Kumar Ramesh. Ai ka folur për mediat pasi mundi t’i shpëtojë mrekullisht tragjedisë.
“Pati një zhurmë të madhe 30 sekonda pasi u nis avioni dhe më pas u përplas. Ndodhi shumë shpejt”, tha ai. I riu ka marrë dëmtime në gjoks, kokë dhe këmbë.
40-vjeçari kishte shkuar në Indi për disa ditë për të vizituar familjarët. Ai po kthehej në Mbretërinë e Bashkuar, bashkë me të vëllain, një 45-vjeçar me emrin Ajay Kumar Ramesh.
“Kur hapa sytë, kishte kufoma rreth meje. Isha i frikësuar. U ngrita dhe ika me vrap. Kishte mbetje të avionit përreth meje. Dikush më mbajti dhe më futi në një ambulancë ku më çuan më pas në spital”, tha ai.
Burri jeton prej 20 vitesh në Londër, aty ku ka edhe gruan bashkë me një fëmijë.
I vëllai ndodhej në një rresht tjetër nga ai. Deri më tani nuk ka të dhëna nëse ai ka shpëtuar apo është mes emrave të viktimave të gjetur deri më tani nga autoritetet indiane.
“Nuk po e gjej askund. Ju lutem më ndihmoni ta gjej”, tha ai.
Brenda avionit të Air India udhëtonin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez.
- Në mesin e pasagjerëve ndodhej edhe ish-kryeministri i shtetit Gujarat, Vijay Rupani, për të cilin ende nuk ka informacione të konfirmuara. Familjarët dhe ndihmësit e tij po zhvillojnë kërkime në spitalin ku janë dërguar të plagosurit dhe trupat e viktimave.
Autoritetet lokale thonë se numri i viktimave mund të jetë më i madh se numri i personave në bord që ishte 242. Kjo për arsye se avioni ra në një zonë të banuar.