Ditën e sotme, gjatë takimit me të rinjtë në qytetin e Durrësit, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi prezantoi drejtuesen e partisë në këtë qark.

Bëhet fjalë për Elona Gurin, e cila sipas Kryemadhit, bashkë me të rinjtë e qytetit bregdetar do të krijojë infrastrukturën e zhvillimit.

“Dua të falënderoj dhe Elona Gurin, e cila është motori i LSI-së dhe i dha frymë, oksigjen, lëvizshmëri jo vetëm të rinjve në Durrës, jo vetëm intelektualëve në Durrës, jo vetëm qytetarëve të Durrësit, por i dha frymë jetës politike në Durrës. Elona është nga ata personazhe, të cilat në politikë nuk do të ia dijë farë, por Elona është mike e mirë, është shoqe e mirë dhe për këtë ju do të jeni shumë të lumtur sepse do të keni një njeri që nuk do të ndalet asnjë sekondë dhe nuk do të mbyllë jo vetëm telefonin, por do të mbajë sytë hapur për t’u përgjigjur juve të rinjve dhe të rejave të Durrësit për të krijuar infrastrukturën e zhvillimit”,-tha Kryemadhi.

Anëtarja e Kryesisë së LSI-së dhe drejtuesja e LSI në Qarkun Durrës, Elona Guri, gjatë fjalës së saj u shpreh se të rinjtë e Durrësit do të çmontojnë dhe ndëshkojnë kupolën e betonit në qytetin bregdetar dhe se së bashku me të rinjtë, “do ta bëjmë Shqipërinë dhe Durrësin shtëpinë e çdo shqiptari, e çdo të riu që të ardhmen e tij do ta jetojë në këtë vend, në këtë qytet mijëra vjeçar.

Postimi i plotë i Elona Gurit:

Sot rinia e Durrësit i dha krisjen e parë “Kupolës së Betonit”! Prania e qindra të rinjve në këtë takim është mesazhi më i qartë që të rinjtë e duan ndryshimin.

Ata nuk mund dhe nuk duhet ta lënë të ardhmen e tyre në duart e “Kupolës” që ka parë vetëm interesat e veta dhe klientëve të saj.

Në sytë e tyre pashë shpresën, entuziazmi i tyre me përçoi vendosmërinë, mes fjalëve të tyre gjeta forcën e ndryshimit.

Jam krenare për rininë e mrekullueshme durrsake.

Së bashku do ta bëjmë Shqipërinë dhe Durrësin shtëpinë e çdo shqiptari, e çdo të riu që të ardhmen e tij do ta jetojë në këtë vend, në këtë qytet mijëra vjeçar.

Sot ata filluan çmontimin e “prangave” që e kanë kapur nga duart zhvillimin, nga këmbët punësimin dhe progresin, nga fyti lirinë dhe votën.

Më 25 prill do të jemi bashkë për t’i dhënë dënimin politik “Kupolës” e më pas për çliruar energjitë e rinisë dhe biznesit, që sot janë të zëna peng nga një grusht i vogël njerëzish pa dinjitet, pa atdhedashuri, pa forcë për t’u përballur me këtë uragan rinor.

Falenderoj të gjithë të rinjtë pjesëmarrës dhe ata që më shkruajtën dhe më morën në telefon, se nesër do jemi shumë më shumë dhe të gjithë bashkë do e sjellim shpresën dhe ndryshimin!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re