Nga sot, normat maksimale të interesit që do të aplikohen për kreditë konsumatore që marrin individët në banka dhe në institucionet financiare janë të publikuara në faqen e Bankës së Shqipërisë.

 

Sipas përllogaritjeve që ka bërë institucioni qendror, për shumat nga 0 deri në  200 mijë lekë, për kreditë me këste, norma tavan do të jetë 171.4%, ndërkohë që janë përcaktuar edhe normat për overdraftet dhe për kartat  e kreditit. Kjo vendimmarrje prek më shumë institucionet financiare jo banka që japin kredi në shumë të vogla.

 

“Norma efektive maksimale i referohet interesave të gjeneruara mbi këto shuma për periudha relativisht të shkurta, 30-60 ditë, në cdo rast në më pak se një vit. Për këto kredi, materialitet që përfaqësojnë norma e interesit nuk është e tillë i krahasueshëm me kreditë konsumatore me fasha më të larta 500-600 mijë apo deri në 2 milion leksa sa varion një kredi konsumatore. Ne flasim për një përllogaritje interesi të duhur që minimalisht të justifikojë kostot e institucionit ndaj dhe ato shkojnë në nivele të tilla”, shprehet Brunilda Isaj, nga Shoqata e Mikrofinacës.

 

Ndërkohë, për shumat e kredisë me këste nga 200 mijë deri në 2 milion, norma tavan që do të aplikohet arrin në 38%. Por operatorët e fushës thonë se për këto shuma kredie duhet të kishte një diferencim.

 

“Natyra e kredimarrjes përcakton dhe normën e interesit, ndaj nuk mund të trajtojmë me një fashë të gjithë ata që marrin këto shuma kredie. Ne do të preferonim që për mikrokreditë, deri në 600 mijë lekë të ishte një fashë, ndërsa fasha tjetër 600 deri në 2 mln lekë të ishte fasha e dytë, pra janë të krahasueshme produktet dhe natyra e kredimarrjes.”

 

Këto norma efektive interesi, përbëhen nga çdo kosto të kredisë që i përcillen klientit që merr hua. Ato janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga sistemi bankar dhe ai jo bankar. Banka e Shqipërisë u detyrua të ndërmarr këtë vendim, pas disa anomalive të vërejtura në treg, ku kompanitë aplikonin norma dhe penalitete, që në shumë raste janë konsideruar si zhvatje ndaj qytetarëve.

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re