Kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar sot Pjetër Arbnorin në ditën e tij të lindjes. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se Arbnori i përkiste një plejade politikanësh të rrallë, të cilët nuk bënë kurrë kompromis me të keqen.

I cilësuar si “Mandela i Ballkanit”, kryedemokrati shton se Arbnorit qëndresën ia kishte edukuar familja, shkolla, leximet dhe eksperienca e gjatë e miqve të burgut politik.

Postimi i plotë:

Dua të kujtoj sot me nderim të veçantë ditëlindjen e Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit, përkthyesit dhe humanistit të madh që kaloi 28 vite të rinisë së tij në burgjet famëkeqe të komunizmit.

Pjetër Arbnori i përkiste një plejade politikanësh të rrallë, të cilët nuk bënë kurrë kompromis me të keqen, që nuk u epën para presioneve apo privilegjeve. Që deri ditën e fundit luftuan dhe u përpoqën për idealet e tyre pavarësisht vështirësive të kohës.

Siç thoshte vetë Mandela i Ballkanit, qëndresën ja kishte edukuar familja, shkolla, leximet dhe eksperienca e gjatë e miqve të burgut politik.

Frika, zilia dhe tundimi për privilegje, sipas tij ishin rrugët që na bashkojnë me të keqen. Dhe gjatë gjithë jetës së tij, në rini si desident e më vonë si deputet dhe drejtues i parlamentit, Pjetër Arbnori i tejkaloi me sukses këto sfida, duke u shndërruar në politikanin model ku mllefi dhe hakmarrja për kundërshtarin politik nuk gjeti kurrë vend.

Le ta nderojmë sot Pjetër Arbnorin, gjurmët e pashlyera të tij në historinë e Shqipërisë me urimin dhe shpresën se vlerat që ai solli në politikën shqiptare do të trashëgohen dhe nga brezat e rinj të politikës.

Dua të kujtoj sot me nderim të veçantë ditëlindjen e Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit, përkthyesit dhe…

Posted by Lulzim Basha on Sunday, January 17, 2021

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re