Një lajm i fortë është publikuar nga gazetari Telnis Skuqi që ka trazuar jo pak ujërat në Gjirokastër. Skuqi pretendon në lajmin e tij se drejtori i Ujësjellësit, Gentian Llogo, ka tentuar të përdhunojë një punonjëse të këtij institucioni në Bashkinë e Gjirokastër.

Ngjarja ka ndodhur pas orarit zyrtar të punës, vajza ka lajmëruar të dashurin dhe ky i fundit është konfliktuar fizikisht me Llogon. Skuqi pretendon se ka një video të ngjarjes, ndërsa Llogo e mohon me forcë.

Ditën e sotme ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” gazetari që ka publikuar lajmin, Telnis Skuqi, i cili shprehet se ka  një video në lidhje me këtë ngjarje.

Sipas Skuqit, ngjarja ka ndodhur dy javë më parë dhe vetë ai është informuar para 7-ditësha nga një njeri i viktimës.

“Nuk ma lejon etika që të publikoj një lajm, nëse nuk kam një provë. E nëse unë kam një provë, nuk mund të qëndroj pa e publikuar lajmin. Llogo është me precedentë për dhunë seksuale nga vajzave. Nuk dua të shkatërroj dy familje, por ky njeri ka ngacmuar vajzën e një kolegu tonë në vitin 2004. Është dhunuar nga i dashuri, ky ka precedentë. Është denoncuar në atë kohë”, tha gazetari.

Skuqi tregoi se disponon një video, e cila për të është e tmerrshme.

“Në vend që të kërkonte falje, ka përdorur një fjalor rrugaçësh. I dashuri i vajzës i kërkon llogari se çfarë ka ndodhur me të dashurën e tij. Video është 3 minuta. Unë kam hedhur dorezat direkt në ring, unë tani pres reagimin e tyre. Nuk e kam dhënë videon për emisionin tuaj, pasi unë kam mënyrën time të investigimit. Duhet që të reagojë kryetari i Bashkisë. Kam tentuar që të marr reagimin e tyre, por nuk kanë dashur asnjë kontakt me mua”, tha gazetari.

Ky i fundit u shpreh se parimi i tij nuk është që të dëmtojë, por të publikojë fakte.

“Nuk është presion, nuk është në thelbin tim. Skema ime e investigimit nuk ka të bëjë me gjobë, nuk e njoh në karakterin tim. Unë punoj me hap pas hapi. Mos kërkoni gjithçka, se nuk thuhen të gjitha. Unë ruaj identitetin e vajzës dhe të fejuarit të saj. Në video flitet edhe me emra”, tha Skuqi.

Sipas tij, nëse Prokuroria e Gjirokastrës nis një hetim, atëherë do të japë edhe videon si provë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re