Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, apo e njohur ndryshe si Gjykata e Strasburgut, ditën e sotme ka refuzuar kërkesën e ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj që rasti i saj të ri-shqyrtohet nga Dhoma e Madhe prej 17 gjyqtarësh.

Në këto kushte, aktgjykimi i datës 9 shkurt 2021, ku nuk u gjet asnjë shkelje në rastin Xhoxhaj, nga sot është vendim përfundimtar në këtë çështje.

Rikujtojmë se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut u shpreh për herë të parë për procesin e vetting-ut në Shqipëri. Në çështjen Xhoxhaj kundër Shqipërisë, me shumicë votash, Dhoma prej 7 gjyqtarësh e GJEDNJ-së vendosi se nuk ka pasur shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në procesin e vetting-ut.

Ish-gjyqëtarja ngriti padi në Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg duke e cilësuar vendimin nga trupa e Vettingut në Shqipëri si të papajtueshëm. Ndërkohë prej vendimit të 2018 ajo është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vite për shkak të problemeve me pasurinë dhe aftësive profesionale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re