Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë i ka dërguar një letër ministrit të brendshëm Bledi Çuçi, pas ndalimit që Bashkia e Tiranës i ka bërë qarkullimit të betoniereve në kryeqytet, gjatë orëve të ditës.

Sipas shoqatës për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj proçesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal.

Gjithashtu sipas tyre, ekzistojnë edhe proçese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 (dymbëdhjetë) orë e më tepër. Lënia në gjysëm e një bazamenti, strukturave mbajtëse ose e soletave është teknikisht e ndaluar mbasi demton qëndrushmërinë e objektit.

Letra e plotë:

Shoqata e Ndërtuesve dhe Prodhuesit e Betonit, Ju urojnë një vit të mbarë, plot shëndet dhe suksese në aktivitetin Tuaj.

Shoqata jonë ka qënë partnere dhe dëshiron të çojë përpara këtë partneritet me qeverisjen qendrore dhe lokale në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve që prekin kryesisht sektorin e ndërtimit.

Po ju drejtohemi, Juve, si titullari më i lartë i këtij institucioni për zgjidhjen e një problem aktual dhe shumë të rëndësishëm për ne :

Lejimin e vazhdimësisë normale të punës për prodhimin dhe transportin e betonit, lejimin e lëvizjes së autobetonierave të sektorit të ndërtimit gjatë orarit të punës në Tiranë. (Punonjësit e Policisë Rrugore nuk po lejojnë lëvizjen e autobetonierave para orës 20.00 në qytetin e Tiranës).

Theksojmë që ky ka qënë problem i përsëritur ndër vite për ne.

Duhet të sqarojmë se, për specifikat e betonit dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet ky lloj proçesi, është e pamundur që të punohet natën në lartësi të mëdha dhe pa ndriçim normal. Gjithashtu, ekzistojnë edhe proçese pune që detyrimisht duhet të vazhdojnë pa ndërprerje 12 (dymbëdhjetë) orë e më tepër. Lënia në gjysëm e një bazamenti, strukturave mbajtëse ose e soletave është teknikisht e ndaluar mbasi demton qëndrushmërinë e objektit.

Gjithashtu, betoni nuk është material i cili shkarkohet si inertet dhe përpunohet në një moment të dytë. Betoni trasportohet me makineri të cilësuara si makina teknologjike (autobetoniere), ka një orar teknikisht të caktuar brenda të cilit duhet të jetë i hedhur në vepër.

Për këtë arsye, kërkojmë nga institucionet kompetente lejimin e vazhdimësisë të punës tone normale, duke shmangur kështu, “abuzimet” e punonjësve të policisë ndaj firmave të betonit, në mënyrë të përditshme, në çdo rrugë të Tiranës.

Shpresojmë tek Ju, në zgjidhjen e këtij problemi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re