Florian Zekja, përfaqësuesi i Pro Export, në një intervistë për gazetaren e Fax Neës Mirilda Tili, tha se biznesi fason është rikthyer në pikën përpara pandemisë sa i takon prodhimit, por mbetet shqetësim mungesa e fuqisë punëtore.

Zekja u shpreh se bizneset fason kanë tentuar që të marrin punonjës nga jashtë vendit, e më konkretisht nga Bangladeshi, por skema duket se nuk ka qenë fort e suksesshme, për shkak të vështirësisë në komunikim, apo shfrytëzimit të Shqipërisë si një trampolinë për të shkuar drejt vendeve të BE-së.

Sipas Zekjas, punëtorët shqiptarë nuk kanë ndonjë rendiment kryevepër, dhe shumë prej tyre pas pandemisë nuk duan që të punojnë, por gjithnjë në optikën e biznesmenit kjo nuk lidhet me pagesat e ulëta të sektorit.

“Ne po rikthehemi te situata para Covid, marr parasysh Janarin e 2020, kur pandemia nuk ishte përhapur në shkallë të gjerë. Ne po përballemi me mungesë të punëtorëve, nuk jemi vende ku mund të shfrytëzojmë fuqinë punëtore, pasojë dhe e keqmenaxhimit të pandemisë. Paga e luftës ishte një gabim total, ishte një lëvizje e nxituar që nuk solli efektet që pritej.

Nuk solli rritjen e konsumit, nuk dihet si e kanë shpenzuar, për të pirë raki, apo për të marrë ushqime. Asnjë nga vendet e rajonit, nuk ka dhënë para direkt për konsumatorin, por është dhënë për sipërmarrësit. Paratë duhet të ishin dhënë te sipërmarrësit, që të mos detyroheshin të largonin njerëz nga puna. Kjo masë sjellë një apati, ku njerëzit nuk kanë tendencë për të përmirësuar jetesën e tyre.

Ndodhemi në një moment kur kemi nevojë për punëtorë, kemi kërkuar në tregje të huaja, kanë ardhur punëtorë nga Bangladeshi. Jemi përballur me problemet e gjuhës, me lejet e qëndrimit, braktisjen e vendit të punës, pasi disa e kanë përdorur Shqipërinë si trampolinë për të shkuar në Europë. Duhet të testojmë vende si Pakistani apo Vietnami, në Shqipëri nuk po gjejmë dot më punëtorë të rinj.  

Punëtorët tanë nuk kanë ndonjë rendiment kryevepër, një pjesë e madhe e punëtorëve kanë preferuar që të qëndrojnë në shtëpi, në vend që të shkojnë në vendin e punës”, u shpreh Zekja.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re