Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në datën 5 korrik 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit, ndonëse me ritme më të ngadalta në krahasim me periudhën paraardhëse. Në të njëjtën kohë, inflacioni ka ardhur në rënie, duke pasqyruar më së shumti rënien e inflacionit të importuar.

Në tërësi, këto zhvillime kanë qenë në linjë me trendet aktuale në ekonominë botërore dhe në përputhje me pritjet tona. Po ashtu, përditësimi i parashikimeve sugjeron se këto tendenca do të jenë të pranishme edhe në të ardhmen: aktiviteti ekonomik në vend pritet të vazhdojë të rritet gjatë tremujorëve në vazhdim ndërsa inflacioni pritet të vijojë rënien graduale dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Megjithatë, Këshilli konstatoi se presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta dhe përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve mund të kërkojë një normalizim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen.

***

Inflacioni shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke regjistruar një vlerë mesatare prej 4.7% në muajt prill-maj. Kjo dinamikë është diktuar nga rënia e inflacionit të çmimeve të ushqimeve të përpunuara, të naftës dhe të produkteve të lidhura me të, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës është shfaqur relativisht i qëndrueshëm.

Në aspektin makroekonomik, trendi rënës i inflacionit pasqyroi ecurinë e ngjashme të këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros, si dhe efektet e bazës së lartë krahasuese. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta, në pasqyrim të kërkesës së lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës.

Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 2.7% në tremujorin e parë të vitit, duke ardhur në ngadalësim krahasuar me tremujorin paraardhës dhe duke qenë në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rritja ekonomike pati një bazë të gjerë, si në terma sektorialë ashtu dhe në terma të përbërësve të kërkesës agregate. Në të njëjtën kohë, ngadalësimi i ritmit të rritjes kishte një bazë relativisht të gjerë, ndonëse ai ishte më i spikatur në sektorët e ndërtimit e të industrisë dhe në përbërësin e konsumit familjar.

Në aspektin makroekonomik, rritja e kërkesës për mallra e shërbime ka pasqyruar pozicionin e shëndetshëm të bilanceve financiare të sektorit privat, kushtet ende të favorshme të financimit dhe rritjen e eksportit të shërbimeve shqiptare, e kryesisht të atyre të turizmit. Nga ana tjetër, politika fiskale ka pasur një ndikim neutral ndërkohë që bilanci i shkëmbimeve të mallrave me jashtë ka dhënë një ndikim negativ.

Ndonëse në ngadalësim, zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës agregate ka pasqyruar në një shkallë të lartë  shfrytëzimin e kapaciteteve në ekonomi. Ky fenomen mbetet më i spikatur në tregun e punës. Të dhënat e disponuara për tremujorin e parë na sugjerojnë vijimin e trendit të rritjes së punësimit e të pagave, duke mbështetur zgjerimin e fuqisë blerëse të familjeve por dhe duke mbajtur të larta presionet e brendshme inflacioniste.

Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar në funksionimin e qetë të tregjeve financiare. Megjithatë, gjatë tremujorit të dytë, këto tregje janë karakterizuar nga një reduktim i normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të kredive në lekë, si dhe nga një forcim i shpejtë i kursit të këmbimit. Nga njëra anë, rënia e normave të interesit të lekut ka pasqyruar gjendjen e mirë të likuiditetit në tregjet financiare dhe reduktimin e primeve të rrezikut të perceptuar nga agjentët e tij. Nga ana tjetër, forcimi i kursit të këmbimit të lekut ka pasqyruar përmirësimin e vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë, si dhe rritjen e interesit për të kursyer e investuar në monedhën tonë kombëtare.

Në tërësi, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka krijuar kushte financiare më të përshtatshme për kontrollin e inflacionit. Megjithatë, edhe pse drejt shtrëngimit, kushtet e financimit mbeten ende stimuluese për rritjen e konsumit dhe të investimeve. Në përgjigje të tyre, kredia për sektorin privat vijon të rritet ndërsa cilësia e portofolit të saj ka mbetur e kënaqshme, sikurse ilustrohet edhe nga nivelet e ulëta të raportit të kredive me probleme. Shëndeti financiar i sektorit bankar sugjeron se ky sektor do të jetë i aftë të vazhdojë ti përgjigjet kërkesave të ekonomisë për fonde.

Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe se inflacioni do të shënojë rënie graduale dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tregjet globale dhe normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në vend. Ky normalizim do të krijojë një balancë më të mirë midis kërkesës dhe ofertës, do të mbështesë stabilitetin e tregjeve financiare si dhe do të ndihmojë në kontrollin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin.

Nga ana tjetër, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të rritet gjatë tremujorëve në vijim. Ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme dhe t’i kthehet niveleve historike në afatin e mesëm e të gjatë. Ky parashikim faktorizon shëndetin e mirë financiar të sektorit privat dhe atij bankar të ekonomisë shqiptare, perspektivën pozitive të tregut të punës, përmirësimin e besimit të familjeve dhe bizneseve, si dhe praninë e një ambienti financiar ende akomodues.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.

Megjithatë, Këshilli gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këto rrethana, ai do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit, përfshi edhe normalizimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.

Në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasojave të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar.

 

Vijon….

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re