Kreu i PAA-së, Agron Duka ka treguar prapaskenat e votimit të Lindita Nikollës në krye të Kuvendit. I ftuar në emisionin “Log”, Duka u shpreh se nuk kishte qenë në dijeni në lidhje me vendimin e Grupit Parlametar të PD-së për të grisur fletët e votimit.

Më tej ai shtoi se vendimin e morën vesh vetëm kur po zgjidhej kryetarja e Kuvendit, kur panë që deputetët demokratë filluan të grisnin fletët e votimit tek kutia.

“Unë vetë po të kisha qenë në pozicion të tillë nuk e marr dot një vendim. Është një vendim që e marrin politikanët e suksesshëm, por nuk jam një politikan i suksesshëm. Por që të jesh duhet të marrësh vendime të tilla. Opozita është dobësuar ama. Ne nuk po merremi vesh në asnjë lloj vendimi. Nuk dinim gjë çfarë vendimi kanë marrë këta për kryetaren e Kuvendit, dhe ne u detyruam të marrim vendime individual kur shkuam për të votuar. Aty pamë që po grisnin fletët e votimit,”- tha Duka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re