Rreth 4500 nxënës të arsimit fillor në të gjithë vendin, u rikthyen në bankat e shkollës këtë të hënë për të zhvilluar orë konsultimesh.

Fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën të cilët nuk patën mundësi të zhvillojnë mësimin në distancë, do të vazhdojnë orët e përsëritjes për lëndët gjuhë dhe matëmatikë deri më 11 shtator.

Mësimi u zhvillua duke respektuar rregullat e protokollit, si ruajtja e distancës, dezinfektimi dhe pajisja me maska për nxënësit edhe mësuesit.

Në Tiranë, ky numër fëmijësh ishte rreth 516.

Ndërkohë në Elbasan, ishin 1373 nxënës, që nuk kanë ndjekur mësimin online, të cilët kryesisht vijnë nga zonat e thella rurale, apo nga familje me probleme ekonomike.

Vetë fëmijët thonë se e kanë patur të pamundur të mesonin nga shtëpia, pasi nuk kishin pajisjet e nevojshme apo internetin.

Edhe prindërit pranojnë se kushtet ekonomike janë bërë shkas që fëmijët të mos merrnin pjesë në mësimin nga shtëpia.

Ndërkohë në disa fshatra, programi plotësues është zhvilluar në terren, si në shkollën Shtjefen Gjeçovi në Troshan, ku vetëm 7 nxënës morën pjesë.

Gjatë këtij dy javori, në të gjithë vendin janë 600 klasa të kësaj kategorie nxënësish dhe rreth 2600 mësues që do të angazhohen në këtë proces.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re