Deklarata e Kryeministrit Rama një ditë më parë se pas bluzave të bardha do të vaksinohen të moshuarit personalitete ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe mbarë opinionin publik. Të indinjuar për këtë deklaratë shprehen edhe të moshuarit në Elbasan.

Të moshuarit përbëjne pjesën dërrmuese të atyre që zënë parqet publike në qytetin e Elbasanit dhe i sheh të lëvizin rrugëve. Ata janë prindër të fëmijëve ku një pjesë vijojnë të jetojnë në Shqipëri e të tjerë kanë zgjedhur rrugën e emigrimit.

Në kohën që virusi i kërcënon drejtpërsëdrejti presin me padurim kryerjen e vaksinës antikovid, por teksa janë njohur me deklaratën e të parit të shtetit për vaksinimin fillimisht te të moshuarve personalitete janë zhgënjyer pa masë. Sipas të moshuarve në Elbasan , kjo është diskriminuese dhe aspak e drejtë. Pavarësisht punës që kanë kryer, në fund të gjithë janë qënie njerëzore , ndaj duhet të trajtohen njëlloj.

Ka nga ata që shpresojnë që deklarata e kryeminsitrit të jetë një lapsus nga ky i fundit, ndaj shpresojnë që ai ta sqarojë në vijim. Më poshtë dhe disa nga reagimet e tyre për gazetaren e Fax News Entela Duka:

“Po ne të tjerët të vdesim ne, ne kemi ndërtuar uram fabrika, kemi tharë këneta, po të kishin punuar ato kuadrat e larta nuk kishte ikur e gjithë rinia në emigracion”.

“O të gjithë o hiç, njeri është dhe ai që është më i madh se 80 vjeç dhe më i vogël, bij nënësh janë të gjithë. Për veten teme edhe unë personalitet janë. Nuk shkon kjo punë, e thënë shkurt”.

“Keq, fare, sjam dakord fare, smë pyet njeri por sjam dakord, megjithatë unë vetë nuk dua vaksinë. Atij i dhimbset jeta, po neve të thjeshtëve?! Është një shprehje, të them lapsus, nëse e ka shprehur me mendimin e vetë tamam, është komplet gabim”.

“Mosha duhet të jetë kategori, nuk e di si e ka mendimin, shteti i di më mirë hallet e veta. Aq vaksina ka marrë, do nisë nga kupola e poshtë. Edhe një kryeministër tjetër të ishte do bënte zgjedhjen e tij”.

‘Edhe mësuesët keq janë, pastaj të vijë radha e pleqve, ata që janë në moshë të madhe’.

‘Më mirë të bëjmë të rinjtë, se ata të moshuarit kanë mbaruar punë nuk janë për asgjë’.

“Duan që të heqin qafe pensionistët, ku e di unë se dhe në rast se e marr vaksinën nuk do kem efekte anësore. Unë mund të vdes pas 6 muajsh, le ta bëjnë njeherë shtetet perëndimore”.

Numri i rasteve pozitive dy muajt e fundit është rritur mjaft në Elbasan. Vetëm një ditë më pare rezultuan pozitiv 54 persona dhe tre jetë të humbura, mes tyre edhe një 31 vjecar, për të cilin u tha se nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re