Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbërritën këtë të enjte në qytetin Vuhan në Kinë për të hetuar origjinën e koronavirusit.

Grupi prej 10 shkencëtarësh do të vetëkarantinohet për dy javë, e më pas do të fillojë kërkimet tek institutet kërkimore, spitalet si dhe tek tregjet e prodhimeve të detit, për të analizuar shpërthimin fillestar të pandemisë në fund të vitit 2019.

Ekspertët nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Gjermania, Japonia, Britania e madhe, Rusia, Holanda, Katari dhe Vietnam do të qëndrojnë një muaj në qytetin  kinez ku do shkëmbejnë  pikëpamje rreth virusit me shkencëtarët vendas.

Që prej fillimit të përhapjes së pandemisë pati pretendime të ndryshme për prejardhjen e Covid-19. Disa besojnë në mundësinë e bartjes nga lakuriqët e natës në njerëz, përmes blerjes së një kafshe tjetër të shitur për ushqim apo qëllime mjekësore nga një laborator në Vuhan.

Qeveria kineze ka këmbëngulur se përhapja mund të ketë nisur permes importit të ushqimeve të kalbura të detit, pretendim që është kundërshtuar nga shkencëtarë dhe agjenci ndërkombëtare.

Kina është përballur me kritika të ashpra veçanërisht nga SHBA pasi nuk ka qenë plotësisht transparente kur virusi u shfaq për herë të parë.