Policia ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një operacion kombëtar kundër lojërave të fatit të shtrirë në 21 qarqe. Në një njoftim për mediat sqarohet se në operacion kanë marrë pjesë 1100 punonjës policie.

Mësohet se operacioni “Gjysmëfinalja”, është zhvilluar për zbulimin e veprimtarisë së jashtëligjshme të lojërave të fatit. Në të gjithë vendin janë kontrolluar 656 ambiente në të cilat dyshohej se mund të ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit, kryesisht në fushën e basteve.

Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 35 persona, konkretisht 19 persona në Tiranë, 6 persona në Vlorë, 5 në Shkodër, 2 në Durrës, 1 në Bulqizë, 1 në Fier e  1 në Korçë.

Po ashtu mësohet se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 18 persona, konkretisht 5 persona në Korçë, 3 në Tiranë, 3 në Shkodër, 2 në Vlorë, 2 në Berat, 1 në Elbasan, 1 në Mat dhe 1 në Fier.

Policia sqaron se ka sekuestruar dhe  15 kompujtera, 5 makineta për lojëra fati, 16 tableta që shërbenin për vënie bastesh, 8 tavolina pokeri, 15 DVR, 41 aparate celular, 5 milionë lekë dhe prova të tjera materiale, të cilat shërbimin për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re