Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se opozita ka artikuluar mirë objektivat e saj ekonomikë.

Xhepa theksoi se opozita, tashmë thjesht duhet të na shpjegojë se ku do të gjejë paratë për të vënë në jetë planin e saj. Ai shton se Shqipëria po ashtu duhet që të bëjë reformë më të mirë të sistemit tatimor.

“Që të kemi situatë të mirë ekonomike, duhet të rritet ekonomia. Janë reformuar disa aspekte ekonomike. Opozita ka kapur disa elementë që meritojnë të përshëndeten. Opozita propozon hartimin e një kodi tatimor. Barra tatimore duhet të jetë njësoj për të gjithë. Shqipëria duhet të bëjë reformë të mirë të sistemit tatimor. Përjashtimi nga taksimi për jahtet është vrastare e sidomos për një forcë të majtë politike. Opozita duhet të na thotë ku do gjejë paratë”, tha Xhepa.

Selami Xhepa nënvizoi se duhet që në vendin tonë të ndalohen prokurimet publike si dhe të bëhen hapa për të zbutur pabarazinë ekonomike.

“Sistemi ekonomik në Shqipëri nuk po funksionon. Në një sondazh të bërë, del se 2 nga 3 qytetarë shprehen se paratë shkojnë në duart e pak njerëzve. Monopolet janë rritur dhe duhen gjetur mënyra si të luftojmë ato. Opozita shprehet se do të çlirojë paratë nga PPP, por problemi është si ta arrijmë këtë gjë. Duhet të ndalohen prokurimet publike, kur ka një ofertues. Janë disa gjëra që duhen sqaruar mirë. Duhet të ndërtojmë mekanizma, që torta e ekonomisë të ndahet më mirë. Duhet të zbutet pabarazia ekonomike”, theksoi Xhepa.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re