Kisha Ortodokse në Rumani po përballet me një presion qytetar për të ndryshuar ritualet e pagëzimit, pasi një foshnjë vdiq pas një ceremonie, e cila përfshin zhytjen e foshnjave tre herë në ujë të shenjtë.

Foshnja 6-javëshe pësoi një arrest kardiak dhe u dërgua me urgjencë në spital të hënën, por vdiq disa orë më vonë, me autopsinë që zbuloi ujë në mushkëritë e saj.

Prokurorët kanë hapur një hetim vrasjeje kundër priftit në qytetin verilindor të Suceava.

Një peticion në internet që bën thirrje për ndryshime në ritual mblodhi më shumë se 56,000 firma deri të enjten në mbrëmje.

“Vdekja e një foshnje të porsalindur për shkak të kësaj praktike është një tragjedi e madhe,” tha një nga mesazhet e qytetarëve. “Ky rrezik duhet të përjashtohet që gëzimi i pagëzimit të triumfojë.”

Një përdorues i internetit denoncoi “brutalitetin” e ritualit dhe një tjetër kritikoi “kokëfortësinë e atyre që mendojnë se është vullneti i Zotit” për ta ushtruar këtë ritual.

Media lokale rrëfeu disa incidente të ngjashme në vitet e fundit.

Zëdhënësi i kishës, Vasile Banescu tha se priftërinjtë mund të hedhin pak ujë në ballin e foshnjës në vend të zhytjes së plotë.

Por Kryepeshkopi Teodosie, udhëheqësi i krahut tradicionalist të Kishës, tha se rituali nuk do të ndryshonte.

Më shumë se 80 përqind e rumunëve janë ortodoksë dhe Kisha është një nga institucionet më të besueshme, sipas sondazheve të fundit të opinioneve.

(E.H/Faxweb.al)

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re