Tregtarët e Zdrales në Shkodër kanë bërë një reagim lidhur me procesin e fiskalizimit të bizneseve të vogla ku ata janë të vetëpunësuar. Në një reagim për mediat, ata shprehen se ky proces i cili është ndërmarrë nga ministria e Financave, sjell një peshë të rëndë në xhepat e tyre dhe për rrjedhojë mund të çojë deri në falimentimin e tyre të plotë.

Sipas tyre taksat që paguanin kanë qenë më mirë para vitit 2014, ku pagesa e vetme që bënin ishte një tatim të thjeshtë ndërsa më tej, tatimet ndaj tyre ishin shtuar. Gjithashtu ata shtojnë se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, bizneset e mbetura do të mbyllen dhe tregu do të jetë jo-funksional.

Tregtarët:

Procesi i ri i fiskalizimit, në biznesin e vogël që tregton rreth 2 milionë lek të reja xhiro vjetore, na dëmton shumë. Unë do kisha thënë që edhe tarifat e tjera që janë ekzistuese për biznesin tonë në krahasim me vitet e mëparshme janë rritur. Po të mblidhen të gjitha bashkë ne shkojmë drejt falimentimit. Madje falimentimi ka filluar sepse shumë biznese janë mbyllur.

Ky proces e fundos biznesin e vogël, pandemia ishte qershia mbi tortë në kuptimin e kundërt. Procesi i dëmtimit të biznesit tonë ka filluar në vitin 2014. Deri në vitin 2014 kemi paguar një tatim të thjeshtë. Më pas u hoq ajo dhe u futën taksat e tjera. Pra shpenzimet dhe dëmet tona janë më të mëdha që prej qeverisë së ardhur në 2013. Jemi në gjendje shumë të keqe.

Nëse vjen akoma më keq kjo situatë do mbyllen me nga 10 biznese jo nga 1. Ne me këto biznese ushqejmë familjet dhe shkollojmë fëmijët. Nuk mund të jemi të barabartë në këtë proces, nuk mund të tatohem njësoj unë që bëj 20 milionë lekë të vjetra xhiro në vit me një tjetër që bën shumë më shumë. Ne jemi të vetëpunësuar. Hyni dhe shihni në treg, është bosh. Këtu është puna për mbijetesë jo për të nxjerrë ndonjë fitim të madh.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re