Emisioni “Stop” publikoi një rast skandaloz korrupsioni në spitalin Covid 2. Vajza e një zonje 55-vjecare, e cila humbi betejën me Covid pas 28 ditësh lufte me këtë sëmundje, denoncoi faktin, se një sanitare e këtij spitali, Tire Alldervishi, duke u hequr si infermiere, i ka marrë rreth 8 milionë lekë të vjetra për shërbimet ndaj nënës së saj.

Nga ky denoncim ka pasur reagime. Drejtuesit e emisionit, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj, publikuan këtë të mërkurë reagimet e personazheve të ndryshëm publikë. Megjithatë qëllimisht ata nuk publikuan asnjë reagim të politikanëve.

Ndërkohë të martën në mbrëmje, “Stop” publikoi komunikimet mes vajzës së të ndjerës dhe punonjëses së spitalit “Shefqet Ndroqi” që tregonin qartë abuzimin me detyrën në spital dhe pazarin me jetën e pacientes. E ndjera ishte ankuar, se Tirja i ka hequr bukën, ujin dhe nuk e ka ndërruar, për shkak se të gjitha nevojat personale, ajo detyrohej t’i kryente në krevat.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lëshoi një deklaratë, ku dënoi me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Gjatë ditës së mërkurë ka reaguar edhe vetë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, duke shkarkuar sanitaren dhe dënuar aktin e saj.

Ndërsa paraditen e të mërkurës është arrestuar sanitarja 58-vjeçare Tire Alldervishi, që i mori qytetares 8 milionë lekë për t’i shpëtuar nënën nga koronavirusi, por që e kishte lënë të vdiste, duke mos i dhënë as bukë e as ujë.

Po ashtu Prokuroria e Tiranës ka deklaruar se po vijon hetimet për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me një rast sporadik, apo me një skemë të mirëfilltë përfitimi në kurriz të të sëmurëve me Covid.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re