Komiteti i Emergjencave Civile të saporikonstituuar ka diskutuar këtë të hënë mbi situatën e krijuar në vend si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Një nga vendimet që është marrë është dhe rehabilitimi i dëmeve që ka sjellë dalja nga shtarti i lumit Drin në Bërdicë të Shkodrës.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se është mundësuar evakuimi në kohë i familjeve të prekura.

“Kanë qenë prurje të mëdha, ku Kaskada e Drinit ka shkaktuar disa fish më tepër dëme. Kemi mundur të largojmë nga rreziku të gjitha familjet. Nuk kemi dëme në njerëz, ndërsa edhe dëmet materiale i kemi minimizuar aq sa nuk ka të krahasuar me të shkuarën”, tha Peleshi.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako bëri një përmbledhje të situates, ku pavarësisht reshjeve të dendura, ai tha se situata është nën kontroll.

Nga ana tjetër, drejtori i IGJEUM bëri të ditur se pas datës 13 janar pritet edhe një përmirësim i kushteve atmosferike që do të sjellë dhe tërheqjen e lumenjve brenda shtratit të tyre.