Pasditen e sotme, kryesia e PD pritet të zhvillojë mbledhjen e thirrur nga kryedemokrati, Lulzim Basha.

Bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohet sot në orën 16:00, në selinë blu. Kjo mbledhje Kryesie, organi më i rëndësishëm vendimarrës i partisë, vë edhe njëherë Bashën përballë mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berishës, mes të cilëve edhe Flamur Noka, Edi Paloka e Belind Këlliçi, të cilët janë pjesë e këtij organi.

Kjo mbledhje zhvillohet në kulmin e debateve në PD, ku Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë se kanë mbledhur 4200 firma të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të cilat i kanë depozituar në një kasafortë që e mban kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka. Ndërsa PD zyrtare pretendon se firmat nuk janë mbledhur, dhe kjo sipas tyre vërtetohet me faktin që nuk lejohet verifikimi i tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re