Shqipëria dhe Kosova intensifikojnë më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Ministri Niko Peleshi dhe homologu i tij, Armend Mehaj nënshkruan në Prishtinë marrëveshjen e bashkëpunimit.

Gjatë takimit të përbashkët, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi e garantoi ministrin e Kosovës për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë si në rrafshin politik edhe në atë teknik.

“E gjithë eksperienca që Shqipëria ka në rrugën e integrimit të plotë në NATO do të vijojë të përcillet e plotë tek vëllezërit tanë kosovarë”, tha pas takimit, ministri Niko Peleshi.

Gjithashtu Peleshi përgëzoi Forcat e Sigurisë së Kosovës për angazhimin në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit, krahas kolegëve amerikanë në Kuvajt.

Teksa foli për stërvitjen më të rëndësishme “Defender Europe 2021”, ministri Peleshi u shpreh se është një lajm shumë i mirë për të dy vendet që SHBA dhe partnerët e NATO-s u dhanë me përzgjedhjen për zhvillimin e kësaj stërvitjeje.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, u shpreh se anëtarësimi i plotë i vendeve të rajonit në Aleancën e NATO-s do të thotë më shumë siguri.

“Shpresojmë fort se ka ardhur koha që, Republika e Kosovës me ndihmën e vendeve aleate, partnere dhe mike të mundë të gjitha barrierat që e pengojnë atë të ecë përpara në rrugëtimin e pandalshëm euro-atlantik.

Integrimi i plotë i Ballkanit në NATO do të thotë më shumë siguri, stabilitet dhe demokraci jo vetëm për këto vende, por edhe për Aleancën. Për më tepër integrimi është një ëndërr e përbashkët e popujve të Ballkanit, të cilët meritojnë të shpërblehen për sakrificat e tyre”, u shpreh ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi.

Në përfundim të takimit ministri Peleshi e ftoi homologun e tij për një vizitë në Tiranë, ndërsa i shprehu angazhimin personal për hapjen e një kapitulli të ri dhe shumë intensiv të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që do të vijojë me implementimin e aktiviteteve të përbashkëta të planifikuara më parë”, tha Peleshi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re