Skip to content

Pensionistë e fëmijë pozitiv me Covid, Fieri shënon shifra rekord infektimesh

Fieri vijon të jetë një nga vatrat kryesore të infektimit me Covid në Shqipëri. Sipas të dhënave të fundit të bëra publike nga ISHP, vihet re një rritje e ndjeshme e rasteve të reja të regjistruara në Fier.

Numri i infektimeve në qytetin e Fierit ka shkuar në 2607, ku vetëm ditën e mërkurë janë konfirmuar 76 të infektuar në Fier dhe 5 në Patos. Numri më i lartë i të infektuarve është shënuar nga pensionistët dhe të papunët, por ndërkohë pozitiv ka rezultuar dhe një fëmijë 8 muajsh. Tamponi u është bërë dhe 4 fëmijëve të cilët kanë shfaqur simptoma të ngjashme me Covid, por fatmirësisht kanë rezultuar negativ për koronavirus.

Sipas të dhënave të ISHP-së nga 76 të infektuar të cilët u konfirmuan ditën e mërkurë, 54 janë pensionistë e të papunë, 9 raste janë konfirmuar në biznese private, 6 mësues, 2 studentë, 2 efektivë të Policisë së Fierit, një mjekë, një infermierë e një fëmijë 8 muajsh.

Kujtojmë se ditën e djeshme në vendin tonë për herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë shifra e të infektuarve gjatë 24 orëve ka kaluar 1000.

(R.G/Faxweb)

/faxweb