Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për përdorimin e maskave në publik, tha se maskat ulin shpërndarjen e infeksionit.

Brataj u shpreh se baret e restorantet duhet që të zbatojnë protokollet zyrtare.

“E kemi thënë se maska është ndër të vetmet masa mbrojtëse që ka efikasitet. Maska ul shpërndarjen e infeksionit. Maska nuk e mbron 100 për qind kuptohet, por është ndër më të mirat. Maska, por edhe distanca sociale dhe higjiena personale. Në restorante dhe bare është vënë kufizimi se tavolinat duhet të jenë gati 2 metra larg.

Edhe për ambjentet e brendshme, nëse aty zë 100 veta, unë fus 20 njerëz, duke respektuar distancën sociale dhe higjienën. Bizneset janë të detyruar që të përdorin protokollet. Maska kontrollon situatën shëndetësore, që numrat mos tejkalojnë shumë. Ambjentet e mbyllura të ajrosen çdo 15 minuta”, tha Brataj.

Skënder Brataj theksoi se maska na mbron 50 për qind nga viruset.

“Kemi tre tipa maske, që varet sa për qind mbrojnë. Maska ka lindur si rezultat për mbrojtje ndaj mikrobeve. Kolla dhe e tështira e spërkalat janë më të rrezikshme në përhapje. Maska na mbron mbi 50 përqind. Maska duhet përdorur brenda dhe jashtë ambjenteve shëndetësore. Maskat me filtra specialë janë më efikasë”, u shpreh Brataj.

Më tej, Brataj nënvizoi se koronavirusi nuk transmetohet përmes veshjeve.

“Përdorimi i maskave na bën që të luftojmë koronavirusin, që t’ja bëjmë jetën atij të pamundur, siç na e në ai ne jetën të pamundur. Hunda dhe goja janë porta e hyrjes për virusin. Pikërisht hunda e goja janë portat e hyrjes.

Ata duhet të mbrohen. Kushtet e vjeshtës dhe të dimrit janë dis-favorizuese për ne. Takimi me pjesën e grushtit është më pak transmetuese, është mënyrë që ka mundësi më pak që virusi të mund të merret. Virusi nuk transmetohet përmes veshjeve”, tha Brataj.

Po ashtu, Brataj deklaroi se ka rritje të lehtë të personave të shtruar, që janë infektuar me Covid-19.

“Ka rritje të lehtë të personave të shtruar si të infektuar me Covid-19.  ka një propagandë se nuk duhet të shtrohemi në spital. Duhet nëse kemi simptoma të shumta të koronavirusit, pasi përndryshe shkojmë në spital në gjendje të keqe. Edhe personat nga klasa e gjashtë e lart duhet ta përdorin maskën. Për fat të mirë, fëmijët preken, por nuk transmetojnë virus”, vlerësoi Brataj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re