Ka përfunduar mbledhja jashtë radhe e qeverisë, në fundin e të cilës Edi Rama doli para shqiptarëve për të shpallur emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Por pavarësisht mbledhjes dhe të njëjtit refren që përsërit prej ditësh, Edi Rama tha se planin për të dalë nga kjo emergjencë do ta bëjë publik gjatë ditës së nesërme.

Numri 1 i qeverisë nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të rriten apo jo çmimet, ndërsa vijoi me propagandën e tij se qeveria duhet të kujdeset për shtëpinë e madhe, dhe se çdo qytetar duhet të japë ndihmën e tij.

Rama: Kemi pasur një mbedhje jashtë radhe. Për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin me energji elektrike, i ndikuar nga situata e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare, i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumenta financia, qoftë dhe me instrumenta të natyrës administrative. Me këtë vendim i japim rrugë ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm që do të bëhet publik gjatë ditës së nesërme.

Rama nuk jep një përgjigje konkrete nëse do të rritet çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë

Rama: Ky nuk është shqetësimi i çdo qytetari, por i yni dhe i çdon qytetari. Ne jemi këtu për të mishëruar shqetësimin e çdo qytetari, duhet ta dini se për shkak të detyrës, e ndjej këtë më shumë se çdo qytetar, sot për sot është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithçka.

Dua ti them çdo qytetari se kjo është shtëpi e përbashkët, dhe si në çdo shtëpi të vogël, dhe shtëpia jonë e madhe ka mundësitë e saj të veta, por jo të pakufizuara. Nuk mundet dot që për shtëpinë e madhe, ti bëjmë hesapet ndryshe se për shtëpinë e vogël.

Duhet të na dëgjojnë kur iu themi se janë broçkulla që Shqipëria ka ujë dhe e prodhon vetë energjinë dhe naftën, duhen lënë mënjanë, që të kuptojmë njëri tjetrin për çfarë flasim. Shqipëria nuk e prodhon dot të gjithë energjinë që e konsumon. Në momentin që ne e shesim energjinë ka vetëm dy rrugë, ose ta shesi ose ta derdhi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re