Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të antimafias së vendit të tij ku përmendet Shqipëria dhe politikanët tanë. Në një reagim në Twitter ai thotë se u takon gjykatësve dhe prokurorëve të bëjnë punën e tyre.

“Italia është e do të jetë gjithmonë, përkrah institucioneve të Republikës së Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbështetje maksimale autoritetit gjyqësor shqiptar për shqyrtimin e plotë të çdo episodi të korrupsionit apo të paligjshmërisë, nga cilido qoftë kryer dhe prej ngado rrjedh.

Le t’i lemë gjyqtarët të kryejnë në paqe punën e tyre, me qetësi e në mënyrë të pavarur. U përket atyre të dallojnë faktet nga fjalët.

Polemikat e padobishme e të instrumentalizuara asnjëherë nuk ndihmojnë në verifikimin e së vërtetës. Të gjithë duhet të angazhohen në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit përmes sjelljeve të duhura. Kush do ta bëjë këtë do të ketë përherë mbështetjen e Italisë” – shkruan Bucci.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re