Nënkryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, përmes një interviste të dhënë në studion e lajmeve të FaxNews, ka folur rreth përgjimeve të anti-mafias italiane, ku individë të organizatave kriminale në shtetin fqinj flisnin për investime dhe plane biznesi në Shqipëri. Vasili u shpreh se ajo që ka dalë është vetëm maja e ice-bergut dhe pjesa më e madhe e zullumeve është e nëndheshme dhe e papublikuar.

Sipas nënkryetarit të LSI-së në këtë panoramë kemi një përballje mes institucioneve ligjzbatuese të huaja dhe atyre që ai i quan batakçinjtë tanë që kanë lënë gjurmë me veprimet e tyre.

“Përgjimet nga ajo që ka dal sheshit është vetëm maja e ice-bergut. E dinë të gjithë si është puna e ice-bergut, 1/7 janë lartë dhe 6/7 janë poshtë. Të tërë ata që nuk flasin nuk flasin se e dinë sa është trashur zullumi. Duke qenë të babëzitur pa fre, ashtu siç do hajdut e dinë shumë mirë që kanë lënë gjurmë pafund.

Sot falë institucioneve të tilla si Anti-mafia italiane dhe DEA amerikane në fushën e drogës, institucion për të cilin unë jam impresionuar gjatë një vizite pak kohë më parë bashkë me zonjën Kryemadhi, të parët përfaqësues të një force politike që kanë mundur të kenë një takim me anti-drogën amerikane, më bëri përshtypje ‘Muri i Nderit’, ku ishin qindra njerëz që kishin dhënën jetën në emër të detyrës së tyre.

Këto institucione, janë institucione ku nderimi i ligjit është i shenjtë dhe për këtë kanë derdhur gjak dhe kanë dhënë dhe jetën. Janë idealistë të vërtetë. Kjo është një pasqyrë e tmerrshme ku përballë tyre janë këta batakçinjtë tanë. Tirana është dhe e vogël dhe e madhe, çdo grop që hapet është në vëzhgimin e këtyre institucioneve që gjurmojnë pastrimin e parave dhe organizatat kriminale. Ndaj merren me opozitën se e dinë që kanë lënë gjurmë”, tha Vasili.(F.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re