Ka nisur në sheshin “Skënderbej” me vendosjen e gërmave “I Love Çamëria” dhe ekspozitën “Çamëria ndër shekuj në harta dhe gravura paraqitur nga historianë dhe artistë të kohës”, “Java Çame” për përkujtimin e 77- vjetorit të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.

Në fjalën e tij kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i bëri thirrje opinionit publik për të mos e harruar çështjen çame.

Gjithashtu Idrizi theksoi se në muajin shtator PDIU do të jetë në parlament dhe do të rikthejë në fokus të punimeve të Kuvendit çështjen çame.

“Është një ditë e njohur dhe nga parlamenti shqiptar për fillimin e masakrave nga Napolon Zerva, por jemi këtu për të kujtuar se pasojat e asaj masakre vazhdon dhe mbi neve. E drejta e jetës, e lëvizjes së lirë të njerëzve, e drejta pronësore dhe juridike që burojnë nga e drejta themelore e njeriut, kanë pasoja tek anëtarët e këtij komuniteti.

Ne jemi këtu për të bërë dhe një thirrje për opinionin publik që mos të harroni Çamërinë. Harresa është vazhdë e padrejtësisë. Të ngremë zërin dhe karshi heshtjes së shtetit për çështjen çame.. Rikthimi i çështjes çame në parlament nëpërmjet deputetëve të PDIU do ta rikthejë vëmendjen. Të gjithë kanë heshtur për çështjen çame.

Dua që t’i garantoj të gjithë që ne nuk e harrojmë Çamërinë, nuk i harrojmë miqtë dhe armiqtë e Shqipërisë. Të gjithë mund të lodhen, por ne do të lodhemi të fundit. Do të rikthehet çështja çame në parlamentin e Shqipërisë, do të tentojë të thyejë heshtjen mbi çështjen çame”, tha Idrizi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re