Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, gjatë një takimi me banorët e Shkodrës ditën e sotme ka folur për dëmet që kanë shkaktuar reshjet e shumta të shiut gjatë këtyre ditëve.

Ademi shprehet se, situata e përmbytjeve vazhdon të jetë e rëndë në territorin e njësive administrative Dajç, Bërdicë dhe Velipojë. Po ashtu shumë toka bujqësore janë dëmtuar rëndë, toka të mbjella me foragjere, grurë, dhe perime.

Ademi shprehet se, po trajtojnë situatën në ato vende ku uji ka filluar të largohet.

“Bashkia Shkodër ka ngritur grupe evidentimi në terren të cilat po punojnë prej disa ditësh për evidentimin e dëmeve në tokat bujqësore. Por qindra hektarë tokë vazhdojnë të jenë ende nën ujë dhe kërkohet ndihmë e menjëhershme nga ana e shtetit”, deklaron më tej kryetarja e bashkisë Shkodër.

“Emergjenca në këto momente vazhdon të jetë për gjënë e gjallë. Kërkesa jonë vazhdon të jetë permanente për rreth 150 ton koncentrate të domosdoshme për gjënë e gjallë për këto fshatra për një periudhë 10-ditore, dhe më tej do të verifikojmë vazhdimësinë e nevojës për periudhën dimër -pranverë, pasi siç e thash dëmet janë shumë të mëdha”.

Gjithashtu Ademi shton: ”Dëmshpërblimi i fermerëve për produktet bujqësore të shkatërruara, është i domosdoshëm,dhe është detyrim i shtetit shqiptar.

Në vitin 2018 kemi patur një histori të ngjashme me këtë që kemi kaluar këto ditë pasi u premtua dëmshpërblim por nuk u dha asgjë, edhe pas verifikimeve nga ana jonë për dëmet.

Gjithashtu Bashkia Shkodër ka pastruar të gjitha kanalet e dyta dhe të treta në këto territore. Bëhet fjalë për 85% të sistemit të kullimit, por me kalimin e lumenjve në tokat bujqësore në kanalet kulluese gjithcka dëmtohet, prandaj dhe dëmshpërblimi i fermerëve është mëse i nevojshëm. Investimet e munguara për të hapur kanalet e para do të duhen të financohen nga buxheti i qeverisë gjë që nuk është bërë, ndaj edhe kërkohet një ndërhyrje e kordinuar dhe vazhdimësi e Bashkisë Shkodër dhe qeverisë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re