Kompania Pfizer ka vendosur të vazhdojë me furnizimin e vaksinave Covid-19 për Italinë, duke respektuar kështu marrëveshjen që ka me Komisionin Europian, edhe nëse Roma do e padisë atë për vonesat në mbërritjen e dozave.
“Ne nuk kemi ndër mend të spekulojmë për këtë gjë, por do vazhdojmë me shpërndarjen e vaksinave, pasi kemi një marrëveshje për të respektuar” – tha Paivi Kerkola, drejtori i Pfizer në Itali në një intervistë për të përditshmen “La Repubblica”.
Mbështetja me vaksina do kthehet në normalitet brenda kësaj jave. Të martën Italia kërkoi që Komisioni Europian të marrë masa në lidhje me vonesën e dërgimit të vaksinave, një ditë pasi Roma i kishte dërguar letër zyrtare ku e paralajmëronte kompaninë amerikane që të tregohej korrekte me dërgesën e vaksinave.
Kerkola tha se grupi do të ishte në gjendje të furnizonte me rreth 2 miliardë vaksina deri në fund të vitit dhe që rritjet e prodhimit do shtoheshin nga mesi i shkurtit. Pyetur në lidhje me ndryshimin në çmimin e vaksinës që kompania aplikonte në vendet e ndryshme u shpreh se çmimet ishin konfidenciale dhe se kompania përdori një “akses të drejtë” sipas nivelit të të ardhurave.
/faxweb
