Pas përplasjeve që kanë ndodhur me kryetarin e bashkisë së Vlorës, këshilli Bashkiak bën me dije se ministria e Shëndetësisë u ka lejuar zhvillimin e mbledhjes.

Sekretari i Këshillit Agron Gjipali ka komunikuar me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjipali ka kërkuar një konfirmim mbi ligjshmërinë e realizimit të mbledhjes fizike në sallën e teatrit “Petro Marko”.

Në përgjigjen e saj, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli konfirmon se mbledhja mund të mbahet fizikisht. Në dy mbledhjet e fundit kreu i bashkisë Vlorë nuk është paraqitur në mbledhje, ka marrë pjesë online.

“Përsa i përket Urdhërit të Ministres së Shëndetësisë ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo te hapura’ qëllimi ka qenë ndalimi i grumbullimeve të posaçme, që sikundër përmendet në urdhër lidhet me tubimet, konferencat, mbledhjet partiake, ceremonitë festive etj. ku rreziku i trasmetimit të virusit është shumë i lartë.

Përsa më sipër ky urdhër nuk cënon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale.

Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid.

Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distancës, mbajtja e maskës, kushtet higjenosanitare etj”, thuhet në përgjigjen e Rakacollit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re