Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një deklaratë për media është shprehur se referendumi i 25 prillit do të jetë përgjigjja e vetme për qeverinë.

Sipas Vasilit ka filluar shit-blerja e votave elektorale, jo me para në dorë por me punësime elektorale.

Në tremujorin e fundit janë punësuar 10 mijë njerëz në administratë, të cilët paguhen me rroga shteti, sipas Vasilit.

“Është vërtete një situatë skandaloze ajo që po ndodh me financat publike të cilat janë vënë në dispozicion të punësimeve fiktive, punësimeve elektorale vetëm e vetëm për të orientuar e për të rrëmbyer vota duke paguar me rroga shteti.

Faktet janë shumë të rënda, vetëm në tre mujorin e fundit të vitit administrata publike ka arritur në 182 mijë njerëz dhe janë punësuar 10 mijë njerëz në tremujorin e fundit, përfshirë këtu administratë bashkish dhe administratë të qeverisë.

Në të njëjtin moment që rritet me 10 mijë njerëz të punësuarit e shtetit, të punësuarit fiktivë dhe elektoralë se janë vetëm për këtë, nuk janë për të ofruar shërbime, biznesi i kanë humbur 4500 vende pune dhe mbi 13 mijë vende pune janë humbur në bujqësi, pra mbi 17-18 mijë qytetarë që punojnë , prodhojnë të ardhura kanë humbur vendet e punës dhe parazitët e rilindjes, militantë, pjesë të strukturave të rilindjes elektorale rrëmbejnë rrogat e shtetit.

Bëhet fjalë për miliona euro që shkojnë për këto punësime fiktive e në vend të shit blerje me para në dorë po përdorin shit-blerjen e votës me vende pune.

Është fare e qartë për këdo që kjo është kriminale pasi ët gjitha paratë dalin nga xhepat e qytetarëve, nga mundi dhe gjaku i bizneseve dhe në vend që këta të pacipën që qeverisin paratë e shtetit t ‘i përdorin për rimbursim ilaçesh, për të ndihmuar biznesin që mos mbyllet e mos humbasë vende pune, punësojnë pafund nga këta që quhen punësime elektorale.

25 prilli është dita për t’i dhënë fund shpërdorimit të parave tuaja, nga këta horra që kanë rrëmbyer pushtetin të cilët duan ta zhvatin Shqipërinë deri në fund.”