Pavarësisht se Bashkia Tropojë ka njoftuar se nuk ka dokumente dhe prokurori Arben Dollapaj dorëzoi si provë kopjen origjinale të lejes ndërtimore, Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi sërish që të verifikohet nëse leja zhvillimore për shtëpinë e familjes së prokurorit në Valbonë është marrë bazuar në ligjin e kohës për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit.

Nga Edmond Hoxhaj

Gjatë seancës së të martës më 4 shkurt në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Florian Ballhysa renditi ato ç’ka ishin kërkuar më parë nga ana e tij për hetimin e shtëpisë në Valbonë të prokurorit dhe njëkohësisht anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Dollapaj – përfshirë situatën faktike të banesës, vlerën e investimit të kryer prej prokurorit Dollapaj, verifikimin e lejes së ndërtimit dhe të mundësisë financiare të vëllait dhe të motrës së tij për investimin e kryer prej tyre.

Ballhysa tha se bashkia e Tropojës njoftonte se nuk kishte leje ndërtimi të dhënë nga ish-Komuna Markgegaj. Ndërkohë që Ministria e Turizimit dhe Mjedisit kishte konfirmuar se shtëpia në Valbonë është e regjistruar si biznes ne emër të vëllait Sh.D.  Komisioneri Ballhysa shtoi se ky fakt ishte konfirmuar edhe nga vetë prokurori Arben Dollapaj.

Sipas Komisionerit Publik, dokumentet nga Kadastra nuk mund të sillnin rezultat të ri, pasi ndërtimi nuk ishte i regjistruar. Ai shtoi se kërkesa për lejen e zhvillimit bërë nga F.D. është pa numër protokolli dhe se deklarata e kërkuesit duhej të përmbante dhe ID e tij. Ballhysa insistoi se nevojiten edhe dokumentet për zhvillimin e lejes në përputhje me legjislacionin përkatës.

“Bashkia Tropojë nuk konfirmon lejen zhvillimore dhe nuk citohen dokumentet teknike për zhvillimin”, tha ai.

Më tej, Komisioneri tha se nuk arrihej të provohej investimi si bashkë-investitorë për shtëpinë në Valbonë, pasi sipas tij, Dollapaj ka deklaruar se në periudhën 2014-2016 ka investuar 2.6 milionë lekë ndërsa totali sipas preventivit ka qenë 5 milionë lekë.

“Sipas preventivit 2019, vetëm investimi i subjektit është 4.2 milionë lekë. Kjo nuk përputhet me investitorët e tjerë pasi, duhej të ishte 1/3 e investimit”, këmbënguli Ballhysa.

Komisioneri kërkoi sërish që vëllai dhe motra e prokurorit Dollapaj të cilësohen si persona të tjerë të lidhur, pasi sipas tij, ekziston marrëdhënia e interesit mes tyre. Gjithashtu, Ballhysa tha se nuk provohej që materialet e zhdoganuara të cilat kishin mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ishin përdorur për arredimin në Valbonë.

Në seancën e 16 janarit, përfaqësuesi ligjor i Dollapajt, avokati Viktor Gumi dorëzoi si prova disa CD me pamje filmike, të cilat vërtetonin sipas tij që mobiljet për arredimin e bujtinës së vëllait dhe të motrës së prokurorit kishin ardhur nga Amerika dhe ishin zhdoganuar.

“Të merren në konsideratë parashtrimet e mëparshme,” insistoi Ballhysa.

Gjatë fjalës së tij në seancën e të martës më datë 4 shkurt, Gumi sqaroi se pasi u njohën me shkresat e Bashkisë Tropojë, i ishin drejtuar me kërkesë për informim kësaj të fundit dhe prokurorisë së Tropojës lidhur me lejen e ndërtimit në Valbonë.

Ai shtoi se kishin me vete kopjen origjinale të lejes së ndërtimit për shtëpinë në Valbonë dhe mund ta vendosnin në dispozicion të Kolegjit.

Pavarësisht se në seancën e 16 dhjetorit 2019, Kolegji vendosi që hetimin për shtëpinë në Tiranë ta përqendrojë në mundësinë e konfliktit të interesit mes shtetasit kosovar që i ka shitur shtëpinë vëllait të prokurorit Arben Dollapaj dhe këtij të fundit, Komisioneri kërkoi përsëri hetimin e parashtruar më parë.

Ballhysa kërkoi që për shtëpinë 3 kate në Tiranë të hetohet për përfitimin e kredisë, përfitimin e katit të dytë nga Dollapaj, gjendjen deri në vitin 2011, mosdeklarimin e bashkëpronësisë, burimin e ligjshëm të të ardhurave duke përfshirë edhe kunatin H.S. prej nga vëllai i prokurorit Dollapaj kishte marrë hua.

Lidhur me konfliktin e interesit, Ballhysa pohoi se nga përgjigjet e kthyera prej Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorisë së Tiranës asaj të Durrësit dhe nga Ministria e Drejtësisë rezulton se nuk ka pasur asnjë akt procedural apo dënim në ngarkim të shtetasit kosovar S.D., i cili i ka shitur shtëpinë vëllait të prokurorit. Sipas Ballhysës, nga këto dokumente rezulton se Dollapaj nuk ka qenë në konflikt interesi me shtetasin kosovar S.D..

Lidhur me denoncimet nga publiku të paraqitura më parë nga Komisioneri, nga pretendohej se Dollapaj kishte ndërtuar pa leje, se zotëronte një hotel në Valbonë dhe se kishte përfituar kredi të butë në kundërshtim me ligjin, avokati Gumi tha se nuk kishin prapësime. Ai shtoi se ishin dakord me Komisionerin se nuk ka prova e fakte ose të jenë pjesë e shqyrtimit gjyqësor.

Trupa gjykuese u tërhoq dhe vendosi të administrojë si provë kopjen origjinale të lejes ndërtimore për shtëpinë në Valbonë. Kryesuesi Adrian Hajdari e pyeti Dollapajn se si mund t’i ndihmonte, pasi ishte shprehur më parë i gatshëm për të vënë në dispozicion çdo dokument apo informacion që dispononte.

Dollapaj tha se do vinte në dispozicion të Kolegjit projektet dhe dokumentacione të tjera për lejen ndërtimore në Tropjë. Ai tha se ngaqë nuk i kishte ndjekur vetë punimet nuk i administronte këto dokumente aktualisht.

“Fakti se nuk i kam ndjekur punimet vërtetohet edhe nëpërmjet sistemit TIMS pasi kur shkonim në Tropojë kalonin nëpërmjet Kosovës, për shkak të rrugës”, sqaroi Dollapaj.

Ai theksoi se në shkresat e mbërritura pranë Kolegjit ishte sqaruar se ish-komuna Markgegaj nuk ka pasur arshivë. Dollapaj shtoi se qytetarët i kanë dorëzuar vetë në Bashkinë e Tropojës dokumentet.

Më pas, kryesuesi Hajdari tha se Kolegji mori vendim të ndërmjetëm me shumicë votash që të kërkojë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK nëse ka ndonjë kallëzim ndaj Dollapajt dhe nëse po, a ka ndonjë vendim për fillim apo mosfillim.

Seanca e radhës u shty më datë 25 shkurt, ora 11:00.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re