Skip to content

“Po punojmë në presion, kemi frikë të takojmë familjarët e pacientëve”, mjekët e Traumës në ditën e dytë të protestës: Lironi kolegët, po ikin asete të bluzave të bardha

Mjekët e spitalit të Traumës, dhe jo vetëm, kanë dalë sot në ditën e dytë të protestës së tyre pas arresimit të dy kolegëve Serdi Memini dhe Ervin Sulaj, pasi dyshohet se kanë marrë para nga Fatbardh Dyli, babai i 17-vjeçarit që mbeti i plagosur në Velipojë.

Gent Stroni, kryetar i shoqatës së punonjësve të shëndetësisë, tha se është e papranueshme që mjekët të arrestohen vetëm në bazë të përgjimeve, dhe pa pasur prova për implikimin e tyre në veprimtari korruptive.

“Pika e parë është rrezikshmëria, pika e dytë është prishja e provave dhe e treta largimi nga Shqipëria. Marrja e tyre nën masën e arrestit me burg është e pabazuar në prova, deri në momentin kur drejtësia të vërtetojë provat, nuk ka arsye që ata të mbahen në burg, drejtësia është duke kaluar cakun e të drejtave qytetare dhe njerëzore, ndoshta për shkak të presionit që ata kanë.

Ne kemi dalë për të qenë solidarë me ata kolegë, deri në momentin që vërtetohen provat, ne dënojmë çdo akt mitmarrje, por derisa kjo të vërtetohet ata nuk duhet të mbahen në burg”, tha Stroni.

Nga ana tjetër mjeku nuk pranoi të fliste mbi deklaratat e bëra dje nga disa kolegë të tij, që kërkuan autonominë e spitaleve, dhe në njëfarë forme legjitimimin e bashkishit për bluzat e bardha.

“Ne dje kemi lexuar një deklaratë për të cilën kemi qenë të gjithë dakord, marrja apo dhenia e mendimeve individuale e secilit prej nesh, nuk përbën dhënien e mendimit të të gjithë sindikatës. Sa i takon vazhdimësisë së protestës ne po e shtrijmë atë dhe në qytete të tjera, ne duam të tregojmë sot se deri në momentin e gjetjes së provave këta persona të mos qëndrojnë në burg. Nuk mund të qëndrojnë në një vend dhe kriminelët vrasës, edhe mjekët që kanë tentuar që ti shpëtojnë jetën”, u shpreh Stroni.

Nga ana tjetër, ai u shpreh se mjekët në spitalin e Traumës dhe jo vetëm, janë duke punuar në kushtet e presionit, dhe të një ngarkese shumë të madhe të punës.

“Mjekët janë nën presion, dhe kanë frikë që të takohen me familjarët pas operacioneve, ne nuk jemi gjykatës por ne e gjykojmë se kjo është puna e mjekut, nuk përkrahim aktet korruptive, por nuk mundemi që të pranojmë shkeljen e figurës së mjekëve.  

Jemi vendi i fundit në Europë sa i takon pagës së mjekëve, dhe ngarkesa që ne kemi është më shumë se të gjithë kolegët tanë në Europë. Sigurisht që shërbimi po jepet, por duhet të kemi parasysh volumin e punës që secili prej nesh mban. Rrjedhimisht që dy mungesat ndihen, duhet që mungesat të zgjidhen, e njëjta gjë ndodhi edhe me mjekun Edvin Prifti, ikën një aset i mjekësisë, që bëjnë operacione për çdo ditë.

Ne kemi mungesë mjekësh dhe i fusim në burg pa pasur prova, edhe në burg po të shkonte mjeku në komunizëm do të bënte rolin e mjekut. Nëse provat vërtetohen ndryshimi ynë do të ishte i ndryshëm”, përfundoi mjeku.

Protesta pritet të vijojë, deri në lirimin e dy mjekëve të arrestuar, që sipas kolegëve të tyre nuk kanë rrezikshmëri dhe nuk mund të prishin provat.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb