Prej më shumë se një orë mbështetës të Sali Berishës kanë hyrë në katin e parë të selisë së Partisë Demokratike por e kanë të pamundur për tu ngjitur në katin e dytë pasi korridoret janë bllokuar nga dyer të blinduara.

Ish-kryeministri Sali Berisha gjithashtu ka replikuar me një gazetare e cila i tha se po zhvillohet një protestë e dhunshme.

Gazetarja: Dje the që do të zhvillohet protestë paqësore, sot ka dhuna?
“Çfarë po dhua moj?! Asnjë xham nuk është thyer, çfarë po flet u hap dra vetë. Ata kanë hapur dyer me blinda për të hedhur gazin. Kujt u mbyll derën ai këtyre demokratëve, njerëzve të lirë?

“Po hapin dyer e shtëpisë së tyre, është paqësore çdo gjë. Ata që i krijojnë do të mbajnë përgjegjësi, ata që po hedhin gaz ndaj protestuesve. Ky është një peng amoral që ka humbur cdo normë dhe standard, kërkon të largojë me gaz dhe dhunë demokratët e lirisë që kanë ardhur sot më të vendosur se kurrë për të përballuar vendimin e tyre historik. Dyert e shtëpisë nuk mbyllen kurrë për familjarët, i mbyll vetëm pushtuesi që quhet Lulzim pengu apo Luzim brava”, tha Berisha.

Sot po mbahet protesta kombëtare para selisë së PD-së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër kreut aktual Lulzim Basha. Berisha kërkon largimin e tij nga drejtimi i partisë pas Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur prej tij dhe shkarkimit të Bashës më pas dhe në një referendum me anëtarësinë.

Bashës i ishte lënë afati 5 janar lirimi i zyrave dhe pas skadimit të këtij afati Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit njoftuan protestë për ‘rimarrjen e shtëpisë së tyre”. Berisha është në përplasje të hapur me Lulzim Bashën që prej 9 shtatorit, kur ky i fundit largoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA-të. Menjëherë pas kësaj Berisha nisi turin e tij të ‘Foltores’ me anëtarësinë në të gjithë vendin, tur i cili kulmoi me Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumin për shkarkimin e Bashës me 18 dhjetor të vitit që lamë pas. Sipas Komisionit të Rithemelimit, i ngritur për ristrukturimin e PD-së, Lulzim Basha është shkarkuar me mbi 44 mijë vota të anëtarëve të PD-së.

Ky i fundit e cilësoi procesin e shkarkimit të tij ilegjitim dhe të manipuluar, ndërsa theksoi se nuk do të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike duke akuzuar Berishën se do të përdorë partinë për mbrojtje personale.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re