Policia e Dibrës ka mësyrë në strofkën e një hajduti që ishte bërë tmerri i banorëve të Peshkopisë dhe ka arritur ta arrestojë të pakapshmin B.M, 29 vjeç.
29-vjeçari ishte shpallur në kërkim për vjedhje dhe vjedhje mbetur në tentativë pasi Gjykata e Rrethit Dibër e kishte dënuar me burg në mungesë. Ai dyshohet si autori i 7 rasteve të vjedhjes në banesa dhe lokale në qytetin e Peshkopisë dhe zonën rreth saj.
Policia e Dibrës zhvilloi një operacion të koduar si “Vakuf” për kapjen e tij, në fshatin me të njejtin emër, ku kishte marrë informacion se fshihej grabitësi. Pas ndjekjes, e gjeti dhe e arrestoi në një shtëpi të braktisur.
Në momentin e ndërhyrjes, në tavanin e banesës së braktisur ku ishte i fshehur i arratisuri nga drejtësia B.M, Policia gjeti një armë gjahu që e mbante pa leje, një armë të ftohtë thikë dhe municion luftarak.
Kësisoj, B.M u dërgua në burg dhe dosja e tij iu referua sërish Prokurorisë së Dibrës për hetime të mëtejshme.
/faxweb