Përfaqësuesja ligjore e pronarëve të Sarajeve, Vasilika Hysi ka deklaruar mbrëmjen e sotme për Fax News se ata do t’i drejtohen Strasburgut në rast se çështja nuk zgjidhet nga drejtësia shqiptare.
“Sigurisht që do t’i drejtohemi Strasburgut nëse nuk gjen zgjidhje në gjykatat tona”, u shpreh ajo mbrëmjen e sotme jashtë Srajeve të cilat janë rrethuar nga forca policie.
Sipas Hysit, duhej që të kishte takime midis pronaërve dhe përfaqësuesve të ministrisë dhe bashkisë për të gjetur një zgjidhje mes palëve.
“Momentalisht është rrethuar me forca të policisë bashkiake. Nuk ka përfunduar procedura. Është miratuar vetëm kërkesa për shpronësim dhe nuk ka një vendim. Procedura ligjore është që përfaqësuesit e ministrisë dhe bashkisë të bënin takime dhe të gjenin një zgjidhje. Nuk ka asnjë lloj komunimkimi. Janë penguar për të hyrë në pronën e tyre. Deri në këto momente nuk ka asnjë lloj negociate mes institucioneve dhe pronarëve. Ka disa kërkesa që janë dërguar. Kanë vendosur një miratim paraprak për vlerën e pronës duke e përgjysmuar. Nuk është miratuar vendimi përfundimtar. Pa u shpronësuar akoma është vendosur rrethimi policor. Nuk lejohen pronarët të përdorin pronën e tyre“, tha Hysi.
Vasilika Hysi ngriti dyshime se pas këtyre veprimeve fshihet diçka por që më mirë ta thonë vetë pronarët. Ajo më tej ka sqaruar se nuk quhet Saraje e Toptanëve por thjesht Saraje pasi kjo pasuri është e familjeve të Kazazëve dhe Kosovës.
“Emri Sarajët nuk e kanë Toptanët, pasi kjo është pronë e famlijeve të Kazazëve dhe Kosovës. Sarajet e Toptanëve po e përdor bashkia. Nëse ajo do të ishte për biblioteke të vazhdonte të ishte për pronarët dhe ta jepnin ata me qera. Ka diçka mbas kësaj që besoj se më mirë do ta shpjegojnë përfaqësuesit e pronarëve. Është i paligjshëm rrethimi i pronës, dhe të gjitha këto janë kosto për mbarë shqiptarët. Nuk ka një akt ligjor që të ndalojë hyrjen në objekt. E para është dinjiteti dhe e dyta shpërblimi për vlerën e pronës. Me mënyrat si po zhvillohen ngjarjet, më vjen keq por nuk mund ta lësh pa e ndjekur sipas ligjit”, u shpreh ajo.
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb
