Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier tha se ka nderin që të shërbejë si përfaqësues i presidentit Joe Biden në Kosovë.

“Është nder i jetës sime që të shërbej si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Gruaja ime Laura dhe unë jemi duke e njohur këtë vend dhe njerëzit edhe më shumë”, tha ambasadori Hovenier në fjalën e tij hyrëse në Presidencë, ku u prit nga presidentja Vjosa Osmani.

Ambasadori Hovenier tha se është i lumtur për rolin e SHBA-së në krijimin e shtetit të Kosovës, të cilin e quan të suksesshëm.

“Njerëzit e Kosovës kanë bërë aq çfarë kanë patur nevojë ta bëjnë në nivelin global dhe të krijojnë një shtet të suksesshëm multietnik. Jam shumë i gëzuar për rolin që e ka SHBA-ja në këtë dhe mbështetjen që ia kemi dhënë Kosovës”, tha ambasadori amerikan.

Ai shtoi se “Ende ka punë për të bërë, si në çdo vend tjetër”, ndërsa ritheksoi se është i lumtur që i është dhënë mundësia të përfshihet në këtë proces.

“E ardhmja e Kosovës varet shumë nga liderët e saj, nga njerëzit e saj, dhe njerëzit e Kosovës janë në duar të sigurta”, tha ambasadori Hovenier.

Hovenier, para se të dalë nga Presidenca ku shkoi për t’i dorëzuar letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani, tha se ndien që duhet të bëjë homazhe te shtatorja e Rugovës.

“Tani kur të dalim jashtë, desha që të bëj homazah te statuja e Presidentit Rugova dhe kam ndier se ky është veprim që si ambasador i SHBA-së duhet ta bëj për këtë personalitet në historinë e Kosovës”, tha Hovenier.

Jashtë, presidentja Osmani u shpreh e nderuar që bashkë me ambasadorin e ri amerikan vendosën kurora lulesh te shtatorja e Ibrahim Rugovës.

Ambasadori Hovenier e falenderoi presidenten Osmani në gjuhën shqipe, ndërsa tha: “Kam nderin të jem këtu për ta njohur kontributin dhe historinë e Presidentit Rugova.”

“Desha ta bëj këtë në ditën time të parë si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Për shkak të respektit për Presidentin Rugova, atë çfarë ai ka përfaqësuar… Pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambujesë”, u shpreh ambasadori i SHBA-së.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re