Pothuajse çdo shoqëri në tokë është organizuar përmes një lloj hierarkie, nga Egjipti i lashtë në Amerikën moderne.

Ju mund të arsyetoni me bindje të plotë se statusi është i pashmangshëm – është një pjesë e natyrshme e jetës. Por a është e natyrshme të jemi aq të stresuar sa jemi sot për pozicionet tona në shkallët e shoqërisë? Me fjalë të tjera, a kemi pasur gjithmonë një ankth për status kaq të theksuar?

Në këto rreshta do të argumentojnë se frika jonë e vazhdueshme nga të qënit të prapambetur krahasuar me të tjerët është një fenomen mjaft i ri, i nxitur nga faktorë të gjerë, duke përfshirë izolimin social dhe meritokracinë. Ndërsa ne jemi materialisht më të avancuar se kurrë, sigurisht që nuk jemi më të lumtur. Në rreshtat vijues do të shikojmë disa shpjegime bindëse pse ndodh kjo, si dhe do të ofrojmë disa zgjidhje për problemin e ankthit të statusit.

Gjatë rrugës, do ta zbuloni:

  • cilët ishin në të vërtetë snobët e parë dhe të vërtetë;
  • si vizatimi i nje dardhë e çoi në burg një karikaturist; dhe
  • çfarë mund të mësojmë nga ndërtesat e rrënuara.

Mungesa e dashurisë bën që ankthi ynë të shkojë deri në qiell

Çfarë e shtyn dikë që të dëshirojë të grumbullojë vazhdimisht shuma gjithnjë e më të mëdha parash? Përgjigja që vjen menjëherë në mendje mund të jetë e thjeshtë – lakmia. Por ka një mangësi të vogël në këtë argument. Nëse lakmia do të ishte faktori i vetëm, pse dikush do të vazhdonte të dëshironte më shumë para, edhe pasi të kishte arritur një sasi pasurie që nuk mund të shpenzohej, të themi, deri në pesë breza?

Nëse njerëzit do të grumbullonin pasuri vetëm për arsye materiale – si për shembull dëshira për një shtëpi më të madhe ose një makinë më të bukur – përfundimisht do t’u mbaronin gjërat për të blerë dhe turravrapi i tyre për para do të ndalonte. Por ne e dimë se nuk është kështu, kështu që shkaku kryesor duhet të jetë diçka tjetër.

Merrni parasysh mënyrën se si i trajtojmë njerëzit me status të lartë kundrejt atyre me status të ulët. Edhe gjuha që përdorim kur flasim për secilin grup është e ndryshme. Njerëzit që mbajnë poste të rëndësishme në shoqëri janë “dikush”, ndërsa të gjithë të tjerët janë “askush”. Është e pamundur të jesh në të vërtetë askushi, sigurisht, por shumë shpesh, identitetet e njerëzve me status të ulët injorohen ose mohohen.

Pra, kërkimi me ngulm dhe papushim për status mund të jetë në fakt për respekt, madje edhe dashuri – jo dashuri romantike, por një ndjenjë se ekzistenca juaj ka rëndësi për dikë.

Pse dashuria është kaq e rëndësishme dhe mungesa e dashurisë kaq shkatërruese? Epo, shumica prej nesh nuk janë të sigurt për vlerën tonë, dhe identitetet tona bazohen shumë në perceptimet e të tjerëve. Nëse tregoni një shaka dhe të gjithë qeshin, besimi juaj në idenë se jeni një person qesharak do të rritet. Nga ana tjetër, nëse njerëzit i shmangin sytë kur hyni në një dhomë, nuk do të kalojë shumë kohë para se të filloni të ndiheni të pavlerë dhe të shqetësuar.

Vetëvlerësimi ynë është kaq i brishtë. Mendojeni si një tullumbace me një çpim të vogël nga ku del ajri – kjo tullumbace e vetëvlerësimit që çfryn vazhdimisht duhet të rimbushet me “heliumin” e dashurisë së jashtme në mënyrë që të mos shfryhet plotësisht. Ndërkohë, veprime të tjera – edhe ato më të voglat, siç është mos kthimi i një përshëndetje me entuziazëm të mjaftueshëm ose thirrjet tona që në mënyrën të vazhdueshme nuk marrin përgjigje – mund të thithin më shumë ajër nga tullumbacja.

Pra, nuk është për t’u habitur që ne jemi të shqetësuar për vendin tonë në botë. Në shoqërinë tonë aktuale, statusi ynë përcakton se sa dashuri dhe respekt do të marrim nga të tjerët dhe, si rezultat, nëse mund ta duam veten bindshëm.

Teksa arrijmë moshën madhore, ne biem në kontakt me snobët që vazhdimisht përpiqemi t’i kënaqim

Kur ishe foshnjë, çfarë bëre saktësisht që i frymëzoi të gjithë përreth të oh, dhe ahh, dhe t’ju vinin pas? Ndoshta nuk ishte e qara, ulërima dhe gromësira juaj – ishte vetëm fakti që ishit gjallë, për të mos përmendur të vegjel dhe të lezetshëm.

Mjerisht, ndërsa rritemi, rrethi ynë shoqëror zgjerohet për të filluar përfshirjen e njerëzve që nuk na respektojnë dhe na duan pa kushte. Në vend të kësaj, ne duhet të fitojmë miratimin dhe admirimin e tyre. Dhe shpesh, ata që po përpiqemi t’u lëmë përshtypje janë snobët që i japin rëndësi vetes.

Termi snobizëm në fakt nuk ka qenë rreth e rrotull për shumë kohë. Përdorimi i tij mund të gjurmohet në Angli në vitet 1820, pasi shumë kolegje të Oksfordit dhe Kembrixhit filluan të shkurtojnë termin sine nobilitate – pa fisnikëri – në s.nob, të shkruar pranë emrave të studentëve pa sfond aristokratik. Me kalimin e kohës, kuptimi është zhvendosur pothuajse në të kundërtën: dikush që shikon me përçmim njerëzit e tjerë për mungesë statusi. Snobët këmbëngulin që grada shoqërore e një personi është e barabartë me vlerën e tyre si qenie njerëzore.

Një nga problemet më të mëdha me snobizmin është se ai e konsideron vlerën tuaj vetëm sipas treguesve të jashtëm të arritjeve tuaja. Mund të jesh jashtëzakonisht i mençur, i lexuar ose i duruar, por nëse nuk ke një diplomë nga një universitet i famshëm ose një titull pune që të përputhet me të, një snob thjesht do të shpërfillë ekzistencën tënde.

Nëse snobizmi është kaq poshtërues, si ka ende vend fryma e tij në shoqëri? Fatkeqësisht, kjo tenton të përforcohet nga media. Imagjinoni faqen e parë të një reviste me vipash. Kush po ju shikon aty? Ndoshta një person i pasur dhe i famshëm. Brenda revistës, do të gjeni detajet e vogla të jetës së atij personi të mbuluara gjerësisht, duke ju bërë të ndiheni sikur veshja e saj e fundit gala ose lidhja aktuale e dashurisë është me të vërtetë e rëndësishme.

Më keq akoma, snobizmi përcillet brez pas brezi. Gjeneratat e vjetra rrënjosin vlerat e tyre tek brezat e rinj, duke përfshirë një lidhje të fuqishme midis statusit të ulët dhe padenjësisë. Pra, nëse prindërit tuaj idealizonin një kabinet të zbukuruar dhe të shtrenjtë si një tregues të statusit të tyre, edhe ju mund ta gjeni veten duke bërë një blerje të ngjashme një ditë.

Ankthi buron kur realiteti nuk i përmbush pritshmëritë tona

Nëse do të përpiqeshit të rendisni të gjitha avantazhet që kemi në shoqërinë moderne në krahasim, të themi, me evropianët mesjetarë, mund t’ju duhen disa orë. Jo vetëm që komoditetet e përditshme ishin të rralla për fshatarësinë, por atyre iu desh të përballonin urinë dhe sëmundjet, ndërsa të pasurit mbanin një distancë të sigurt. Ankthi i statusit të shumicës së njerëzve duhet të dilte nga çatia, apo jo?

Në fakt, ndërsa komoditetet tona materiale janë rritur në mënyrë eksponenciale në dy mijë vitet e fundit, po ashtu janë rritur edhe nivelet tona të ankthit të statusit. Pse nuk kemi arritur të arrijmë stabilitet mendor krahas rehatisë fizike?

Përpara revolucionit amerikan, barazia politike, sociale dhe ekonomike nuk vlerësohej apo kërkohej shumë. Por pas revolucionit, statusi filloi të përcaktohej nga arritjet ekonomike dhe jo nga hierarkitë trashëgimore.

Ndërsa barazia padyshim përmirësoi cilësinë e jetës së një personi mesatar, ajo gjithashtu i bëri të gjithë të shqetësuar. Sapo njerëzit filluan ta shihnin një nivel të caktuar të pasurisë si të arritshme, dhe më vonë edhe të pritshme, ata vuajtën kur nuk e arritën atë. Vuajtjet e tyre u shtuan kur vunë re se fqinjët kishin diçka që u mungonte.

Pse kujdesemi kaq shumë për atë që kanë fqinjët tanë? Kjo është për shkak se ajo që ne e konsiderojmë të mjaftueshme për diçka – si pasuria apo vlerësimi – nuk përcaktohet nga një etalon i yni i brëndshëm. Ne kemi nevojë për një grup referimi njerëzish të tjerë për të na ndihmuar të përcaktojmë se sa të begatë apo të pasur jemi ne vetë. Problemi është se pritshmëritë e grupit tonë të referencës, dhe ato tonat, mund të jenë shumë të larta.

William James, një profesor në Harvard në shekullin e nëntëmbëdhjetë, eksploroi problemet psikologjike që hynin në lojë brenda shoqërive me pritshmëri të pakufishme. James teorizoi se besimi i njerëzve dëmtohet vetëm nga krahasimet me ata që i konsiderojnë si të barabartë. Pra, nëse në njëfarë mase ne e pandehim veten në të njëjtin status me fqinjin tonë, nuk do të ishte normale nëse papritur në oborrin e tij do të shtohej një Lamborghini, dhjetë metra në distancë larg Citroen-it tonë.

Teoria e James sugjeron që, ndërsa qëllimet tona zgjerohen, zgjerohet edhe potenciali ynë për poshtërim. Imagjinoni një librari, të mbushur deri në buzë me autobiografi të burrave dhe grave që arritën sukses të madh me forcat e veta, përbri me disa manuale të përsosjes personale që ju udhëzojnë mbi parimet e suksesit. Këta libra mund të maskohen si këshilla të dobishme, por në realitet, ata thjesht po ju japin pritshmëri të rreme të larta dhe një recetë për dëshirën e paplotësuar.

Në një shoqëri shumë meritokratike, varfëria çon në vetëbesim të ulët

Imagjinoni një skenë nga Evropa mesjetare: një zotëri dhe një zonjë të veshur me veshjet e tyre më të pasura, duke pirë verë dhe duke shëtitur nëpër kopshte të rregulluara mirë. Fshatarët punojnë në fusha dhe në kasollet e tyre të vogla jo shumë larg. Tani pyesni veten – a kishin frikë ndonjëherë zotëria dhe zonja se do të goditeshin nga fatkeqësia dhe do të bëheshin fshatarë, dhe a ka aspiruar seriozisht fshatari që një ditë të bëhej zotëri?

Në të kaluarën, statusi ishte pothuajse i pandryshueshëm. Në fakt, ishte jashtëzakonisht e vështirë të ndaloje së qeni zotëri edhe nëse doje, edhe pse në thelb ishte e pamundur të ndaloje së qeni punëtor. Por pavarësisht mungesës së lëvizshmërisë sociale, klasa punëtore e Evropës mesjetare dhe paramoderne kishte një burim të rëndësishëm rehatie që i ngushëllonte për mungesën e statusit – krishterimin. Për ta, njerëzit e pasur dhe të varfër ekzistonin jo sepse disa kishin punuar më shumë për të arritur statusin e tyre se të tjerët, por thjesht sepse e kishte dashur Zoti. Të dy grupet kishin një vend të fiksuar në shoqëri, dhe edhe nëse të pasurit i shikonin me përbuzje të varfërit, secili e njihte rolin e tjetrit. Asnjëra shtresë pra nuk kërkonte shkëmbim rolesh.

Klasat punëtore kishin në krah edhe Jezusin, i cili kishte qenë një marangoz i varfër. Jezusi ishte figura më e bekuar dhe më e dashur në krishterim, megjithatë ai kishte qenë çdo gjë tjetër veçse i pasur. Kjo e bëri të pamundur që të pasurit të argumentonin se pasuria dhe vlera si njeri ishin e njëjta gjë.

Megjithatë, rreth mesit të shekullit të tetëmbëdhjetë, meritokracia filloi të fitonte terren në shoqëri, duke e zëvendësuar kështu rrëfenjën e vjetër për të pasurit dhe të varfërit me të renë, të nxitur nga ankthi. Suksesi dhe paratë filluan të shiheshin jo thjesht si diçka që trashëgove, por diçka që e fitove me punë, inteligjencë dhe virtyt. Pra, nëse do të ishit të varfër, kjo nuk të ndodhte vetëm për shkak të fatit të keq nga Zoti – në fakt do ta meritonit statusin tuaj të ulët për shkak të dembelizmit ose marrëzisë.

Natyrisht, meritokracia ka qenë kryesisht një ndihmë, duke u dhënë të gjithëve mundësinë për të pasur sukses, pavarësisht nga raca, gjinia, mosha ose prejardhja. Por mjerisht, ajo e ka bërë gjithashtu varfërinë një objekt turpi – një zëvendësim fatkeq për përparimin e njerëzimit.

Suksesi shpesh varet nga mëshira e punëdhënësve tanë dhe ekonomisë

Shumica prej nesh rriten duke supozuar se, një ditë, do të na duhet të gjejmë një punë dhe të punësohemi nga dikush tjetër. Por vetëm 200 vjet më parë, në vitin 1800, vetëm 20 për qind e fuqisë punëtore amerikane ishte i punësuar nga një person tjetër. Deri në vitin 1900, kjo shifër u rrit në 50 për qind, dhe deri në vitin 2000, 90 për qind.

Në mjedisin e sotëm të punës, shumë nga suksesi ynë është i lidhur me atë të punëdhënësit tonë. Por për fat të keq, kushtet e punës nuk priren të peshohen në favor të punonjësve.

Merrni parasysh strukturën e ngjashme me piramidën e shumicës së bizneseve. Kjo strukturë kërkon që dikush të jetë në krye – që do të thotë se dikush, ose më mirë të themi shumë dikushë, duhet të jenë në fund. Dhe ata që kanë sukses në një kompani mund të mos jenë ata me aftësitë më të mëdha në punët e tyre, por ata që kanë zotëruar aftësitë e fshehta politike – të gënjejnë dhe të ekzagjerojnë, për shembull – të cilat i ndihmojnë ata të ngjiten në piramidë.

Jo vetëm që duhet të lundroni në politikën e biznesit në mënyrë që të keni sukses në punë, por jeni gjithashtu në mëshirën e marzheve të fitimit të kompanisë. Fatkeqësisht, nëse një kompanie i dalin keq llogaritë dhe duhet të përmirësojë sa më shpejt bilancin, strategjia më efektive është zakonisht shkurtimi i stafit, zëvendësimi i tyre me robotë ose punësimi i punonjësve të rinj në vende të tjera me paga më të ulëta.

Nëse kjo nuk është mjaft e keqe, punonjësit dhe kompanitë duhet të përballojnë dallgët e ekonomisë, e cila tradicionalisht ka konsistuar në cikle rritjeje dhe recesioni. Uljet në ekonomi duken të natyrshme vetëm në terma numerikë – por pas këtyre rënieve janë pushimet nga puna, falimentimet dhe mbylljet. Megjithëse qeveritë dhe bankat përpiqen të lehtësojnë këtë cikël të turbullt, ai është treguar i paparandalueshëm deri më tani.

Punonjësit modernë trajtohen shpesh si robotë pa shpirt, makineri misioni kryesor i të cilave është të realizojnë imperativin ekonomik të një kompanie. Pra, ndërsa shoqëria na shtyn të kemi sukses në një mjedis pune, i njëjti mjedis na dehumanizon dhe ushqen ankthet tona.

Duhet të ketë mënyra për të shmangur gjithë këtë ankth të statusit, apo jo? Për fat të mirë, ka. Ne do t’i hedhim një vështrim disave prej tyre në rreshtat vijues.

Filozofia sfidon botëkuptimet ekzistuese dhe na ndihmon të ripërcaktojmë se çfarë përbën virtyt

Një histori thotë se kur Aleksandri i Madh vizitoi Korinthin në fillim të shekullit të pestë para Krishtit, ai gjeti filozofin Diogenes të veshur me lecka dhe të ulur poshtë një peme. Kur Aleksandri e pyeti nëse mund të bënte diçka për ta ndihmuar, Diogjeni thjesht u përgjigj: “Po, nëse mund të spostohesh pak. Më keni zënë diellin!” – pa marrë parasysh faktin që Aleksandri ishte njeriu më i fuqishëm në botë në atë kohë.

Diogjeni, natyrisht, e kuptonte ndryshimin midis mirësisë dhe talljes – ajo që ai kishte vendosur të shpërfillte ishte rregulli i vendosur nga kodi tradicional i nderit. Që nga origjina e saj deri në ditët e sotme, filozofët kanë vënë në dyshim status quo-në, duke na detyruar të pyesim veten pse e vlerësojmë atë që bëjmë. Në vend që të pranonin verbërisht perceptimet e të tjerëve për ta si realitet, filozofët përdorën arsyen për të vlerësuar gjykimet e njerëzve të tjerë.

Duke iu rikthyer historisë për Diogjenin, mund të prisni që Aleksandri të ketë shpërthyer me zemërim nga mungesa e respektit e Diogjenit. Në vend të kësaj, “ai qeshi dhe tha se po të mos ishte Aleksandri, do të kishte dashur të ishte Diogjeni.”

Aleksandri u përgjigj me arsye dhe jo me emocion. Nëse nuk do ta kishte bërë, Diogjeni mund të kishte përfunduar i vdekur. Në fund të fundit, historikisht, njerëzit nuk e kanë marrë me fort sportivitet nëpërkëmbjen e nderit të tyre – thjesht shikoni Spanjën e shekullit të shtatëmbëdhjetë, ku duelet morën jetën e 5000 njerëzve. Ndryshe nga duelistët, filozofët e kuptojnë se emocionet tona priren të na çojnë në telashe nëse nuk futen në kontrollin doganor të arsyes. Ndjenjat tona mund të na nxisin të hamë një fetë të madhe tortë, ndërsa arsyeja na kujton se një gjë e tillë do të prishte dietën tonë. Filozofia na udhëzon të pyesim veten nëse ajo që duam është me të vërtetë ajo që na nevojitet dhe nëse frika jonë për rezultatin e veprimeve tona është e justifikuar.

Pra, si mund të na ndihmojë filozofia për të luftuar ankthin e statusit? Kuptojeni pra se pikëpamjet e shumicës janë plot konfuzion dhe gabime dhe dilni në përfundimet tuaja për atë që është e vlefshme – apo jo. Vlerësoni traditat që nuk janë shqyrtuar në mënyrë rigoroze dhe përcaktoni nëse sjellja e njerëzve të tjerë mbështetet nga logjika e shëndoshë. Së fundi, pyesni veten nëse me të vërtetë i respektoni mendjet e atyre, gjykimi i të cilëve ju duket kaq domethënës për momentin. Ju mund të zbuloni se mendimet e tyre nuk ia vlejnë asnjë minimum nga koha juaj.

Arti na lejon të lartësojmë bukurinë dhe rëndësinë e jetës së përditshme

Në Anglinë e epokës së Revolucionit Industrial, arti dhe prakticiteti ishin në krye. Ata që janë në favor të prakticitetit argumentuan se arti nuk mund të ndërtojë fabrika, të vendosë hekurudha ose të planifikojë qytete të reja. Mbështetësit e artit, nga ana tjetër, pohuan se arti mund të ofrojë zgjidhje për disa nga ankthet më të thella të jetës.

“Arti është kritika e jetës,” shkroi Matthew Arnold, një profesor poezie në Oksford dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të artit në atë kohë. Çfarë donte të thoshte me atë deklaratë? Ndoshta se ka gjëra rreth jetës që ia vlen të kritikohen – duke përfshirë këtu edhe qasjen tonë ndaj statusit.

Merrni Parkun Mansfield të Jane Austen si një shembull të një sfide artistike ndaj sistemit të statusit. Në roman, një vajzë e re me emrin Fanny Price lë familjen e saj të varfër për të jetuar me tezen dhe xhaxhain e saj të pasur, Bertramët. Ndryshe nga Bertramët, Fanny nuk mund të flasë frëngjisht dhe di pak për gjeografinë. Sidoqoftë, në fund të romanit, Fanny është personazhi që Austen tregon se ka një shpirt vërtet fisnik.

Romanet si Mansfield Park u japin status të lartë personazheve me status të ulët, duke treguar se një e re e varfër mund të jetë një qenie njerëzore komplekse dhe se morali nuk kufizohet nga klasa shoqërore. Piktura, gjithashtu, mund të sfidojë konceptin tonë për atë që dhe çfarë është e rëndësishme.

Tradicionalisht, piktorët nuk supozohej të përshkruanin njerëz të zakonshëm duke bërë gjëra të zakonshme. Këto lloj veprash, si Vakti i Chardin-it për një Shërues i vitit 1746, u quajtën me tallje “skena zhanri” – tema më pak e rëndësishme për artin pas pikturave, portreteve dhe peizazheve të historisë. Piktura e Chardin përshkruante një grua të veshur thjeshtë duke qëruar një vezë për një invalid. Pse duhej ta harxhonte talentin e tij në një temë kaq të pakëndshme? Ishte për të përmbysur normat që diktonin se jeta shtëpiake e një gruaje ishte vërtet jo emocionuese, dhe për rrjedhojë pa vlerë të brendshme.

Ndoshta edhe më e mirë në shkeljen e normave është komedia. Shakatë janë një formë kritike, e maskuar si argëtim. Ato na lejojnë të sugjerojmë mënyra më të mira sjelljeje, duke u apeluar atyre në krye për padrejtësinë dhe teprimin e tyre.

Nëse nuk mendoni se shakatë mund të kenë fuqi të vërtetë, thjesht shikoni se si disa liderë historikë kanë reaguar ndaj talljes. Në vitin 1830, artisti Charles Philipon kishte karikaturuar kokën e mbretit Louis-Philippe të Francës duke u shndërruar në formën e një dardhe. Menjëherë pas kësaj, mbreti arrestoi Philipon, urdhëroi që prodhimi i revistës të ndalonte dhe bleu të gjitha kopjet ekzistuese! Është e qartë se Philipon kishte goditur një nerv – dhe ekspozoi egon e brishtë të mbretit.

Mos harroni se statusi varet nga vlerat dhe politika e veçanta të shoqërisë në të cilën jetoni

Është e lehtë të biesh në grackën e të menduarit se përkufizimi i shoqërisë sonë moderne për suksesin është i natyrshëm ose universal. Por, shoqëritë gjatë historisë kanë pasur ide jashtëzakonisht të ndryshme se kush e meriton statusin dhe kush jo.

Merrni spartanët e lashtë. Një Spartan ideal ishte një burrë agresiv me muskuj të fryrë dhe një mosinteresim për jetën familjare. Ai nuk dinte si të numëronte, sepse duke bërë një gjë të tillë do të tregonte një frymë komerciale, dhe ai jetoi dhe mori frymë vetëm për betejë – aq shumë sa lejohej vetëm një natë në muaj me gruan e tij. Nëse fëmijët e tij do të lindnin “të dobët”, ata do të çoheshin në male dhe do të liheshin të vdisnin.

Krahasoni spartanin ideal me anglezin ideal nga viti 1750 deri në 1890. Luftimet kishin mbaruar dhe vallëzimi ishte rendi i ditës. Për t’u respektuar në shoqëri, ju duhej të bëheshit një zotëri, duke mos bërë më shumë gjatë gjithë ditës përveç kundrimit të pasurisë suaj. Ju nuk do të guxonit t’i linit fëmijët tuaj të vdisnin në shpatin e malit – pritej që të pëlqenit familjen tuaj, por edhe mund të mbanit lehtësisht një dashnore.

Pse një ndryshim kaq i madh midis këtyre dy burrave arketipikë? Një shpjegim është se një shoqëri që jeton nën kërcënimin e vazhdueshëm të luftës ka nevojë për luftëtarë të guximshëm për të mbrojtur të dobëtit, kështu që ka të ngjarë që ata njerëz të jenë më të respektuarit. Por në një shoqëri relativisht të sigurt, të njëjtat aftësi luftarake nuk janë aq të rëndësishme.

Pra, çfarë e bën një perëndimor modern ideal? Ndoshta është një burrë ose një grua që ka arritur para dhe fuqi përmes ndonjë përpjekjeje tregtare.

Ashtu si viktorianët, ne nuk i lëmë fëmijët tanë në shpatet e maleve – dhe në mënyrë të ngjashme barazojmë paratë me mirësjelljen dhe lumturinë. Dhe nuk është e vështirë të gjesh shembuj nga historia që tregojnë se sa i dëmshëm mund të jetë ai ekuacion.

Të kuptuarit e shkallës dhe shtrirjes së historisë na ndihmon të kuptojmë barazinë e të gjithë njerëzve

Sipas historianit të lashtë grek Herodoti, egjiptianët e lashtë kishin zakon të nxirrnin barela që mbanin skelete dhe t’i shfaqnin ato midis tavolinave në fund të festave të mëdha. A ishte kjo për t’i bërë pjesëmarrësit në festë edhe më të etur për të pirë e për të kërcyer, apo për t’i kthyer ata në shtëpi me një çehre serioze?

Fatkeqësisht, Herodoti nuk na jep një përgjigje. Sidoqoftë, në secilin rast, mendimi i vdekjes i afron njerëzit me çdo gjë që ata vlerësojnë në jetë, pavarësisht nëse është festimi buzë lumit të Nilit ose zgjedhja për të ndaluar festimin dhe për të bërë diçka tjetër. Edhe pse mund të duket absurde në fillim, kujtesa se një ditë do të vdesim, ose memento mori, na ndihmon të heqim dorë nga mendimet e njerëzve të tjerë dhe të rivlerësojmë atë që është vërtet e rëndësishme për ne.

Nëse keni vizituar ndonjëherë Koloseun në Romë, ose ndonjë monument tjetër që tani është shkatërruar, ju jeni angazhuar në një hobi të përbashkët të epokave të kaluara: shikimin e rrënojave. Kalimi i kohës mes rrënojave është një kujtesë e madhe se ajo që dikur ishte plot shkëlqim, tani është pak më shumë se rrënojë. Së shpejti, gjithçka që dimë do të kthehet në pluhur – koha nuk bën dallime mes të pasurve dhe të varfërve.

Ndërsa jeni duke kërkuar rrënojat, mund të dëshironi të kaloni pak kohë në natyrë ose në një kishë. Këto dy vende kanë një gjë të përbashkët të rëndësishme: pafundësinë. Kishat janë ndërtuar me tavane kaq të larta për një arsye – për t’ju ndihmuar të mbani mend se sa të vegjël jemi në të vërtetë dhe për të inkurajuar mendimin shpirtëror si rezultat. Në të njëjtën mënyrë, si mund t’i duket vetja e rëndësishme dikujt, ndërsa qëndron në buzë të një shkretëtirë të pafund, një mali të lartë ose një akullnaje masive?

Pra, në vend që të përpiqemi vazhdimisht ta bëjmë veten – ose të paktën të ndihemi – më të rëndësishëm, ne mund të kapërcejmë ankthin tonë të statusit duke pranuar se të gjithë janë përfundimisht të parëndësishëm.

Pasi të jemi pajtuar me parëndësinë tonë relative, ne mund ta përdorim atë njohuri për të filluar ta trajtojmë njëri-tjetrin si të barabartë. Në vend që ta konsiderojmë tragjedi të jesh si gjithë të tjerët, duhet të festojmë gjithçka që na lidh së bashku. Brenda çdo njeriu është një kombinim i frikës dhe dëshirës për dashuri. Është e lehtë për ne që të shfaqim natyrshëm simpati dhe bujari në vend që t’i përçmojmë fëmijët kur ata shprehin ato ndjenja – kështu që pse të mos përpiqemi dhe të bëjmë te njëjten gjë me të rriturit?

Bohemët përmbysin rendin shoqëror duke refuzuar të marrin pjesë në shoqëri në një mënyrë tradicionale

Kur dëgjoni fjalën “bohem”, mund të përfytyroni një burrë apo grua të re, hipi, me flokë të çrregullta, veshje të gjera dhe titullin e punës së poetit ose artistit. Ndërsa moda bohemiane tani është një modë moderne, vetë bohemia filloi në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Termi përcaktonte një grup njerëzish të lirshëm që visheshin thjesht, jetonin në zona të lira, vlerësonin artin mbi biznesin dhe ndonjëherë bënin jetë seksuale jotradicionale.

Borgjezia u shfaq për herë të parë rreth rënies së Napoleonit në 1815. Menjëherë pas kësaj, bohemët u ngritën për të kundërshtuar pothuajse gjithçka që ata përfaqësonin – kryesisht materializmin dhe trivialitetin. Më e rëndësishmja, bohemët sfiduan idetë tradicionale se kush e meritonte statusin dhe për çfarë arsye.

Ndërsa borgjezët i shihnin arritjet materiale si kulmin e madhështisë, bohemët vlerësonin ndjeshmërinë dhe përkushtimin ndaj artit. Bohemi ideal ishte dikush që i kishte kthyer shpinën sigurisë financiare të një pune dhe në vend të kësaj zgjodhi ta kalonte kohën duke shkruar, pikturuar, duke udhëtuar ose me miqtë dhe familjen.

Henry David Thoreau, një autor dhe filozof amerikan i shekullit të nëntëmbëdhjetë, mishëroi idealin bohem duke vendosur të heqë dorë nga shoqëria dhe të ndërtojë kasollen e tij me dru në pyll. Thoreau i mbajti gjërat sa më të thjeshta që të ishte e mundur, duke kërkuar pak pasuri dhe duke e fokusuar energjinë e tij për t’u përshtatur më shumë me natyrën.

Mund të duket pak e vështirë të grisim një faqe nga libri i Thoreau dhe të nisemi për të jetuar vetëm në pyll. Pra, si mund të zbatohet qëndrimi bohem në jetën tuaj të përditshme? Çelësi është të rrethoheni me njerëz që ndajnë sistemin tuaj të vlerave.

Bohemët shpesh zgjodhën të kalonin kohën e tyre vetëm në komunitetet e njerëzve që bashkndajnë përbuzjen e tyre për statusin dhe pasurinë. Nëse i keni dëgjuar emrat Greenwich Village, Montparnasse ose Bloomsbury, tashmë jeni njohur me disa nga enklavat më të famshme historike boheme në qytetet e mëdha.

Armiqtë e status quo-së që jetojnë në këto vende arsyetuan se nëse je i suksesshëm në klimën aktuale shoqërore, kjo thjesht do të thotë se je i mirë për t’u përballur me sistemin e metë të vlerave të të gjithëve. Por, nëse përkundrazi, rreshtoheni me një grup njerëzish që zgjedhin të mos përdorin një standard material për të matur arritjet e tyre, mund të distancoheni nga toka e premtuar e borgjezisë dhe ankthi që vjen me të.

Mesazhi kryesor:

Edhe pse shumë njerëz në shoqërinë moderne e kalojnë jetën e tyre duke u përpjekur për të arritur pasuri, respekt dhe fuqi, kjo luftë mund të çojë në një ankth të thellë se si jemi në krahasim me bashkëmoshatarët tanë. Mund të bëjmë mirë të kujtojmë se vizioni ynë i suksesit është një vizion shumë i ri dhe se paraardhësit tanë në shoqëritë e kaluara nuk kishin të njëjtën frikë për t’u perceptuar sikur të ishin askushi ose si humbës.

Për fat të mirë, ka disa antidote për sëmundjen e ankthit të statusit, duke përfshirë artin, spiritualitetin dhe boheminë. Dhe diçka shumë e rëndësishme, të jesh i varfër, nuk do të thotë se je njeri i keq, i padenjë, i paaftë, ose i vonuar, në shumicën e rasteve do të thotë se fati nuk ka qënë mjaftueshëm ende në anën tënde.

/shkollaesuksesit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re