Ndërsa e gjithë bota është mbështjellë nga kriza ekonomiko-shëndetësoro-sociale e krijuar për shkak të pandemisë së Covid-19, Kina është ndër të vetmet vende që ndonëse njihet si vendi i origjinës së këtij virusi vdekjeprurës por dhe vrastar të ekonomisë, thuhet se e ka mposhtur virusin dhe po i kthehet normalitetit. Nga ana tjetër, duket se kjo krizë e krijuar nga Covid-19, ishte në favor të këtij shteti, pasi është ndër të paktat shtete që vijon të flasë për rritje ekonomike, ndërsa superfuqitë e tjera përballen me krizën.

Në një situatë të tillë, investimet kineze janë shtrirë thuajse në të gjithë botën duke mos njohur krizë. Por ajo që shihet si shqetësuese për ekspertët ndërkombëtarë prej vitesh ka të bëjë me faktin se kredia e Kinës për vendet e tjera, mendohet të jetë më e lartë se shumat që gjurmohen zyrtarisht, duke rezultuar në shumë “borxhe të fshehura”.

Sipas Carmen Reinhart, profesoreshë në Universitetin e Harvardit, kjo mungesë transparence do të ndikonte gjithashtu tek investitorët që po konsiderojnë bono të lëshuara nga ato vende, ose organizata të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që po ndihmojnë ato vende me borxhet e tyre.

Reinhart do të shprehej në Forumin e Investimeve Nomura në Singapor në vitin 2019, se “Rritja e Kinës si një kreditor global ka bërë që gjithashtu të ketë shumë borxhe të fshehura.” Por sipas profesoreshës këto hua nuk janë të raportuara nnga FMN e Banka Botërore.

Për investitorët, informacioni i kufizuar që ata kanë i pengon në marrjen e vendimeve për investime në lidhje me obligacionet e lëshuara nga ato vende nëse nuk e dinë se sa i detyrohet aktualisht Kinës, çka mund të sjellë që ata të nënvlerësojnë rrezikun e huazimit të parave për ato vende përmes bonove.

Për më tepër, Kina nuk është anëtare e të ashtuquajturit Klubi i Parisit , i cili gjithashtu ndjek huadhënien zyrtare dhe “nuk është i interesuar” për t’u bashkuar, gjë që ngre sërish pikëpyetje.

Por sipas ekspertëve ndërkombëtar, një ndër rreziqet më të mëdha ka të bëjë me faktin se sipas raporteve të ndryshme, këto kredi për vendet shpesh në fshehtësi parashikojnë si kolateral asete të sektorit publik. Madje sipas David Malpass, President i Bankës Botërore, nëse do i kërkojmë kinës kushtet e saj në këto kredi nuk do të gjenden. Kjo mund të çojë kreditorët të vetëofrohen në një gropë të zezë thithëse.

Duke u nisur nga fakte të tilla por edhe paralajmërimet e ekspertëve, si FMN ashtu edhe Banka Botërore kanë bërë thirrje për më shumë transparencë mbi ato shuma dhe afate kredie në Takimet e tyre vjetore. Madje Banka Botërore do të shkonte më tej ku në një prononcim për CNBC, do të shprehej se transparenca e borxhit është “kritike”. Kjo transparencë e munguar, lejon qytetarët “të vënë para përgjegjësisë qeveritë e tyre”.

“Shkurtimisht, transparenca e borxhit është thelbësore për zhvillimin ekonomik. Pra, kur borxhet ‘fshihen’, ky është një problem për të gjithë – jo vetëm për Bankën Botërore ose FMN-në. Veçanërisht ky është një problem për qytetarët e vendeve, borxhi i fshehur i të cilëve zbulohet papritmas, pasi pasiguria mund të çojë në kosto më të larta financimi ose, në rastin më të keq, t’i ndërpresë ata nga financimi”, thuhet në deklaratën në fjalë të Bankës botërore.

Por çfarë sjell krijimi i një borxhi të tillë?

Sipas Kaho Yu, analist i lartë i Azisë në Verisk Maplecroft, “Megjithëse huazimi i Pekinit mund të ndihmojë vendet në zhvillim, një grumbullim i errët i borxhit përfundimisht mund të zvogëlojë rritjen ekonomike”. Sipas tij, ndonëse “Kina mund të ketë siguruar vendet në zhvillim se kostoja e kredive do të mbulohet nga projektet në planin afatgjatë sapo ato të bëhen funksionale, nga ana tjetër nuk jepet asnjë garanci.”

Cili do të ishte një rrezik eminent? Për të … këtë rrezik, mund të marrim rastin e njohur botërisht atë të Sri Lankas. Sri Lanka u detyrua që për shkak të paaftësisë për të shlyer borxhin e saj ndaj kompanive kineze, duhej t’i dorëzonte një port strategjik Pekinit në 2017.

Pra ky është një shembull, i cili mishëron faktin se si vendet që i detyrohen para Pekinit mund të detyrohen të nënshkruajnë mbi territorin kombëtar ose të bëjnë lëshime të ndryshme nëse nuk mund të përmbushin detyrimet –fenomen ky i njohur si diplomacia e grackës së borxheve, ndonëse nga ana e tij Presidenti Kinez Xi Jinping ka mohuar që vendi po përdor një strategji të tillë.

Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme në Evropën e sotshme ndaj ndjenjave populiste, sovraniteti kombëtar mbi politikat e investimeve po kthehet në një temë thelbësore për shumë vende evropiane. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shtetet më të vogla të BE-së, të shqetësuara se mekanizmi i shqyrtimit të investimeve në nivel të BE-së mund të përdoret padrejtësisht nga shtetet më të mëdha si një instrument ndikues ekonomik, duke shtuar kështu përparësitë ekzistuese, që vendet më të zhvilluara në BE kanë në lidhjet ekonomike dhe tregtare me Kinën.

Në njëfarë mënyre, pikëpamjet e ndryshme brenda BE-së lidhur praninë e rritur kineze në ekonomitë e tyre, përfaqësojnë gjithashtu interesa divergjente në lidhje me pikat e forta dhe nevojat e ekonomive të tyre kombëtare. Ekonomitë e zhvilluara dhe inovative do të tentojnë të kërkojnë një mbrojtje më të madhe nga tregu kinez, duke e kombinuar atë me një ekspozim të nevojshëm dhe të kujdesshëm ndaj tregut kinez. Ekonomitë më të varura nga konsumi, turizmi dhe kapitali i huaj do të shohin përfitime më të mëdha prej investimeve kineze, duke bërë edhe një vlerësim më të ulët ndaj rreziqeve të këtyre investimeve.

Edhe vendi ynë nuk është i parrezikuar nga investimet kineze. Një ndër investimet e parashikuara ndërtimi i parkut fotovoltaik në Spitallë të Durrësit. Për këtë Ministria nëpërmjet Zv/ministrittë Energjisë, Gjergj Simaku, thotë se janë dy firma gjermane, kompania franceze Voltaila e cila fitoi ankandin për parkun e Karavastasë, një kompani kineze dhe një konsorcium shqiptar me kompanitë Kastrati dhe Salillari bashkë me një indiane, të interesuara për ndërtimin e parkut të madh që do të prodhojë energji, nga rrezet diellore.

Duke u nisur nga të gjitha parashikimet, nga të gjitha paralajmërimet e ekspertëve ndërkombëtarë, edhe vendi ynë, duhet të tregojë kujdes maksimal duke u fokusuar edhe tek financimet Off-shore. Investimet Kineze edhe në vendet më të fuqishme, po rezultojnë si një gropë thithëse, ku hyn pa e ditur që është e tillë, por që është e pamundur të dalësh. Pushtimi ekonomik është kurthi dhe pushtimi më i frikshëm, nga i cili hyrja është e garantuar por dalja jo.

https://www.cnbc.com/2019/06/12/chinas-loans-causing-hidden-debt-risk-to-economies.html

(Bekim Bici)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re