“Pse ne duam të qëndrojmë në burg?”, Emiljano Shullazi përplaset me gjyqtaren: Pse nuk thërret avokatë të tjerë? T’i bie murit me kokë unë?

seanca.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Është shoqëruar me debate procesi i zhvilluar dje në Apelin e Posaçëm për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqen, Endrit Zelën dhe Blerim Shullazin.

Tri vite pasi ata u shpallën fajtorë, vetëm dje u arrit të zhvillohej seanca në Shkallën e Dytë. Në seancë ishim vetëm tre avokatë, ndërsa dy nga të pandehurit, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani, ishin pa mbrojtës, pasi dy avokatët kryesisht nuk ishin paraqitur. Në këto kushte, Gjykata vendosi që procesi të vijojë pa avokatë dhe kjo shkaktoi debate në sallën e gjyqit. Fillimisht ishte Emiljano Shullazi, i cili e nisi me prokurorin Altin Dumani, të cilit iu drejtua me pyetjen: “Pse, ne duam të rrimë në burg sipas teje?”. Më pas ndërhyri gjyqtarja Miliana Muça, e cila pas kërkesës, i dha fjalën të pandehurit Emiljano Shullazi.

Situata ka qenë disi e tensionuar gjatë seancës, ku Shullazi i ka kërkuar Gjykatës që marrë parasysh listën me 100 avokatë kryesisht. Edhe pse avokati i tij ishte paraqitur dje, ai ka folur në emër të të pandehurve të tjerë, duke thënë se në rast se vendimi do të merrej pa mbrojtës, atëherë kush do ta bënte rekursin e tyre. Fjalën pas Shullazit e ka marrë edhe Gilmando Dani, avokati i të cilit nuk ishte paraqitur, por ai kishte pretendime se ishte përjashtuar vetëm pse ka munguar një herë, duke qenë se ishte me Covid.Edhe Dani ka kërkuar të njëjtën gjë si Shullazi, që Gjykata të shikojë mundësinë e avokatëve kryesisht, pasi ka një listë me 98 të tillë.

Më poshtë debati i plotë mes gjyqtares, Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, zbardhur nga Panorama:

Emiljano Shullazi: (I drejtohet prokurorit) Pse, ne duam të rrimë në burg sipas teje?

Gjyqtarja: E kërkon fjalën i pandehuri Emiljano Shullazi.

Emiljano Shullazi: Prokurori citoi procesverbalin e datës 7, por ne mund të themi çfarë të duam. Ju penguam gjë ne që të mos vini në punë, në detyrë? Në s’ju kemi penguar. Unë s’jam dakord me ju. Unë ta kam thënë edhe një herë dhe ta them edhe një herë, ta dëgjojnë edhe vëzhguesit që janë këtu. Kur ti jep dorëheqjen, ose kur jep gjyqtari dorëheqjen, se nuk mund të gjykoj unë, t’ia fus murit me kokë unë, eee, kur gjyqtari thotë se s’mund të gjykoj? Kuptohet dorëheqja jote. Unë do të marr vendim, si do të thuash ti, është i padrejtë? Është i pavërtetë Ylvi Beqja, kur ti në vendim konfiskimi kë thënë që e ke bllokuar këtë pronë se ia kam marrë me zor Ylvi Beqjas? Unë kam prova të reja që do t’i nxjerr para avokatit, si të m’i prishësh ti mua ato prova? Se ti çfarë vendimi do të marrësh, nuk ke si të marrësh, me datë 1 mora atë vendim, me datë 6 të marrësh vendim tjetër… Pastaj, ku u njoh me dosjen Gjykata? Më datë 6 more emërimin në Apel, më datë 7 erdhe te ne?? Aa, po normal se je njohur me dosjen në Shkallë të Parë. Për atë arsye që dhatë edhe dorëheqjen. Si mund ta vazhdojmë ne gjyqin. Ore unë them dua të dal edhe tani nga burgu, po unë s’dal dot nga burgu. S’ka pse prokurori flet, jo ne thamë kështu, thamë ashtu… Unë do të dal sot nga burgu, si do të dal nga burgu? Dola nga burgu unë? S’ka kuptim kjo fjalë. Gjykata që thotë… aty e ke listën, tani nëse do të fillojmë ne sipas prokurorit ashtu, edhe unë po them është prokurori që i thotë atij Avni Matës dhe atij Pekës mos hajde në gjyq. Pse nuk thërret avokatë të tjerë, ke 100 avokatë aty? Caktoji ti ato avokatët e tjerë.

Gjyqtarja: Më fal t’ju ndërpres vetëm dy sekonda. Ju flisni për mbrojtjen e të pandehurve të tjerë, se mbrojtësi juaj është prezent?

Emiljano Shullazi: Si do të vazhdojë seanca? Po mirë, këtij kush do t’ia bëjë rekursin? Kush avokat?

Gjyqtarja: Atëherë merr parasysh mbrojtjen e dy të pandehurve të tjerë se avokati juaj është korrekt?

Emiljano Shullazi: Po normal, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre?

Gjyqtarja: A në këtë prizëm domethënë?

Emiljano Shullazi: Po, sepse nëse ju merrni vendim, kush do t’ua bëjë rekursin këtyre? Do t’ua bëjë prokurori? Ne jemi të interesuar. Silleni ju një avokat, gjejeni ju avokatin. Ke aty 100 avokatë, keni 7 muaj me Avni Matën me Pekën. Caktoji ato të tjerët. Hiq këta, cakto të tjerët. Ku e dini ju që s’do të vijnë të tjerët? Ose prokurori, jo ju… Se ju s’e keni thënë, po e tha prokurori. Ku e dini ju se s’do vijnë të tjerët? Mbaroni listën dhe pastaj… Po prapë s’ka kuptim kjo, si do rrikemi ne, si paskam unë interes të shtyhet seanca? Ta thashë edhe një herë. Unë nuk pretendoj fare që të marr drejtësi me ju, sepse ju s’keni si të dilni ndesh kundra vendimit që keni dhënë në Shkallë të Parë, se ma ke marrë atë pronë pa të drejtë. Kam thënë prit se kam Apelin, të ka thënë avokati. Prit sa të mbarojë Apeli. Ti more vendimin, se the ia ke marrë me zor Ylvi Beqjas. Tani si të them unë: “Ej, s’ia kam marrë me zor”. Ti e ke marrë një herë atë vendim për Ylvi Beqjan, ma ke dhënë dënimin mua për atë punë. Ajo kuptohet.

Gjyqtarja: Avokati juaj, më fal edhe një herë, avokati juaj në fakt qe korrekt në mënyrën e të shprehurit në raport me ligjin. Kërkesat tuaja, ankesat tuaja mbi përbërjen e trupit gjykues kanë ndjekur hallkat e gjykimit. Dhe avokati u shpreh që, natyrisht që këtë vendimmarrje, apo këtë qëndrim apo këtë përbërje të kolegjit do ta ankimojë…

Emiljano Shullazi: Jo mo jo, se deri diku edhe ju jeni korrektë, se ju e keni bërë një dorëheqje. Edhe ju jeni dakord me këto që them unë, se përderisa e keni bërë dorëheqjen përpara kërkesës sime për përjashtim, jeni dakord me këtë që them unë. Apo s’është kështu? Keni bërë pra dorëheqje ju e s’ju është pranuar. Si ka mundësi që ju ia pranoni kërkesën për përjashtim kësaj kryetares, kurse ajo s’jua pranon juve? Për shkaqe që janë shumë më të larta sesa ato që ke bërë ti dorëheqjen.

Gjyqtarja: Ju kuptoj, uluni. Faleminderit.

Gjyqtarja: E kërkon fjalën i pandehuri Gilmando Dani.

Gilmando Dani: Zoti prokuror, unë s’është se i mohoj ato fjalë. I kam thënë, kam qenë i irrituar në lidhje me trupin gjykues. Dihet shumë mirë se na ka gjykuar një herë, s’mund të na gjykojë për së dyti. Kështu që është e kotë që i lexove procesverbalet. Edhe është mendimi im zotëri, nuk është një mendim i të gjithëve, që e morët ju ashtu dhe që e thoni si të doni. Po nejse. Të kthehemi tek avokatët. Ju zonja gjyqtare flisni këtu për një proces të rregullt ligjor dhe që neve të na garantohen të drejtat tona. Po këtu, sa keni ardhur ju, këtu nuk po shihet fare. Këto 6 muaj që jeni këtu, keni 6 muaj që thoni proces ligjor, proces ligjor. Po keni 6 muaj që sillni po të njëjtët avoka[1]të. I keni vënë kush e di sa gjoba, mbi 20 milionë lekë a 30 a nuk e di se ku do t’i gjejnë ato avokatët. Kurse këtu është një listë e gjatë, që e kemi edhe neve, me 98 veta, ka edhe lista të tjera me çfarë kemi dëgjuar dhe ju nuk thirrni asnjërin prej tyre. Se përse, e dini ju këtë punë. Por merrni vendimin në fund të procesit që thoni që procesi të vazhdojë pa avokatë.

Gjyqtarja: Këtu seancën e drejton gjykata…

Gilmando Dani: Po ta mbaroj…

Gjyqtarja: Se e ndërpreva edhe të pandehurin tjetër. Ju bëj me dije dhe ju kujtoj se… jam e pasaktë për datën e seancës, por ju keni marrë fjalën dhe keni thënë: “Kam zgjedhur një avokat. Avokati im është me Covid”. Ju kemi kërkuar emër, nuk na keni dhënë emrin dhe nuk kemi njoftuar një avokat të tillë. Atëherë mbani qëndrimin tuaj në lidhje me ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes. Keni thënë këto fjalë.

Gilmando Dani: Po, unë nuk i mohoj që i kam thënë.

Gjyqtarja: Në raport me këtë pyetje që ju shtron kryesuesja, jepni një sqarim.

Gilmando Dani: Po, ta jap sqarimin tani. Zgjodha avokaten time që ishte… se ia harrova dhe emrin tani. Erdhi në seancë. Mungoi një herë dhe direkt sa mungoi i vutë 500 mijë lekë gjobë. Herën e dytë e morët dhe e përjashtuat. Që herën e dytë. Kurse të tjerët keni 6 muaj që i thirrni. E kuptoni çfarë po them. Ma hoqët avokatin im, ma hoqët për një herë. Kurse këto që vini ju, këto të shtetit, keni 6 muaj që s’keni ndërruar asnjë. Tani ne jemi në një kohë pandemie zonjë. Tjetri sot është mirë, nesër është sëmurë. Si mund t’i them unë atij që ka qenë me Covid hajde?! Ku e di unë si është ai me shëndet? Ai mund të ketë shkuar jashtë shtetit përderisa nuk erdhi këtu. Se nuk jam interesuar më për atë. Ju flisni pse s’erdhi ai. Unë e kisha zënë këtu avokatin, unë e kisha këtu ju ma përjashtuat. Zonjë, keni 6 muaj, urdhëro, nëse nuk e keni ju listën, jua jap unë po deshët. Janë 98 veta.

Gjyqtarja: Mos u shqetësoni për listën sepse është…

Gilmando Dani: Po pse zgjidhni po ata persona dhe i keni mbytur në gjoba? Gjyqtarja: Arsyen ua tha Gjykata…

Gilmando Dani: Ku është e drejta këtu, se thoni i keni anët të barabarta. Çfarë anësh të barabarta kemi ne, që te vendi ku jemi shihet sa të barabarta i kemi. Pa marrë parasysh pastaj shkeljet që janë bërë për këtë dosje, dihen nga të gjithë. Edhe prokurori thotë është shtyrë për arsyen tonë. 270 ditë, i keni në procesverbal që është shtyrë për shkak të Gjykatës. Edhe vazhdon Gjykata prapë… O zonjë, ju si relatore duhet t’i gjeni këtij procesi një zgjidhje. Gjyqtarja: Në rregull…

Gilmando Dani: Më fal një sekondë se edhe prokurori e di shumë mirë që në ditët që keni ardhur ju, në mos gaboj këtu kanë qenë të pestë avokatët. Ka qenë momenti i parë që gjyqi do të shqyrtohej. Por në momentin që erdhët ju këtu… (ndërhyn avokati)

Gjyqtarja: Mos e ndërprit të pandehurin, është shumë e rëndësishme që gjykata ta dëgjojë…

Gilmando Dani: Që sa erdhëm nuk kishte drita, ikën dritat. Edhe ju ishin e jashtëligjshme. A e dini vetë ju që ishin e jashtëligjshme, se e dhatë vetë arsyen? Gjyqtarja: Gjykata tërhiqet në dhomë këshillimi.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë