Epidemiologu Ilir Alimehmeti i ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” foli për rastet e shtuara të personelit shëndetësor me koronavirus në vend.

Alimehmeti u shpreh se testimi sistematik duhet të jetë prioritet, dhe për rrjedhojë duke qenë se nuk është marrë parasysh është reflektuar në shtimin e rasteve të mjekëve të prekur nga virusi.

“Ne kemi çaluar në mënyrë të vazhdueshme sepse së pari nuk e futëm kurrë në protokoll testimin sistematik të personelit shëndetësor.

Nuk futëm kurrë testimin e personave që shtroheshin nëpër spitale dhe në këtë mënyrë nuk kemi patur kurrë siguri për qendrat e tjera shëndetësore, për pavionet e tjera jo covid, a kishte apo jo raste, patjetër që nuk kishte përderisa nuk kishte filtër. Duke qenë se nuk e bëmë këtë, duhet t’i konsiderojmë këto si zona që kanë pacientë apriori,” tha epidemiologu.

Mjeku shtoi më tej duke thënë se në mungesë të pajisjeve mbrojtëse dhe në prani të vetëm maskave kirurgjikale që nuk ofrojnë mbrojtje të plotë patjetër që do të ketë shtim ta rasteve.

Sipas tij, mjekët në spitalet Covid-19 kanë pajisjet mbrojtëse ndërsa në repartet e tjera përdorin vetëm maska. Ai shtoi se duhet të bëhen testime të paktën një herë në dy javë të personelit dhe të pacientëve në spitale.

“Sepse kjo do t’i përngjasojë patjetër valës së rasteve, sepse kur ke pak raste siç ishte situata Mars dhe Prill nuk pritej të ndodhte shumë sepse nuk kishte shumë raste në komunitet.

Por në momentin që ke shumë raste në këto dy valët që patëm Nëntor deri në Shkurt, numri shtohet shumë dhe si rrjedhojë në mungesë të një filtrimi dhe një dige, atëherë nëpër pavione ky numër do të dalë.

Studimi ECDC tregon se personeli shëndetësor ka 3.1 fish më shumë mundësi të infektohet sesa personat e tjerë në komunitet sepse është e qartë për të gjithë ne”, tha Alimehmeti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re