Nga Namir Lapardhaja

Dhuna e ushtruar ndaj Sait Dollapit, funksionar i rëndësishëm i Partisë Demokratike dhe ish-zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, është tregues i qartë se ky pushtet jo vetëm e ka humbur arsyen, por është në grahmat e fundit të tij.
Pushteti shkelmon, dhunon, helmon, madje të rreh e të vret, sa herë që është në zgrip.
Turma e policëve të harlisur i ngjante një lukunie ujqësh të tërbuar që iu lëshua prehës së pambrojtur me egërsinë e vuvët të humbjes së arsyes sikur të ishte aty në shërbim të pushtetit e jo si shërbëtore e denjë e shtetit, i cili është pronë e të gjithëve, jo vetëm e një pale.

Ai sulm e ajo lukuni i përngjet më së miri sot pushtetit në Shqipëri, i cili guxon e dhunon njerëz e funksionar të lartë publik e politikë, ballazi të gjithëve, në sy të njerëzve dhe të objektivit të kamerave, pa u friguar.
E nëse e bëjnë një gjë të tillë kaq haptazi e pa iu dridhur qerpiku, imagjino se çfarë i bëjnë përditë, në të katër anët e Shqipërisë, në forma dhe mënyra të ndryshme, haptazi dhe fshehtazi, qytetarëve të thjeshtë, të pambrojtur dhe pa njohje publike?!
Pushteti dje rrahu, dhunoi e helmoi, por ai nesër mund të vrasë. Mund të vrasë sepse ai ka humbur arsyen dhe vepron sipas rregullave dhe filozofisë së lukunisë së urritur… Ndaj ai duhet ndalur me çdo çmim. Për të mirën e tij. Për të mirën e të gjithëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re