Subscribe

Qeveria po bëhet gati që të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh me qëllim mbulimin e nevojave. Ministrja e financave Delina Ibrahimaj njoftoi se emetimi i Eurobondit mund të ndodhe brenda këtij muaji. Qeveria këtë radhë po kërkon një borxh nga 500-deri në 700 mln euro.

 

Këtë herë ne do kërkojmë një shumë që varion nga 500- 700 mln euro dhe mendojmë se do të jemi gati në fund të muaji tetor ose në fillim të nëntorit, në varësi se si do të jenë sinjalet nga tregjet e huja lidhur edhe me normat e interesit –tha Ibrahimaj.

 

Në daljen e saj për publikun, ministrja bëri të ditur se ku do të përdoren këto para kur të sigurohen.

 

Këto para do të përdoren për investime në arsim dhe shëndëtësi si dhe në sigurimin e vaksinave. Një pjesë e tyrë do të mbeten si fonde që mund të përdoren edhe gjatë vitit të ardhshëm sipas nevojave.

 

Kjo është hera e pestë që qeveria del në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh. Ky proces ishte parashikuar që në pranverën e këtij viti.

 

Ndërsa lidhur me kritikat që FMN kishte për shpenzimet buxhetore, ministrja tha se raporti duhet lexuar me vëmendje dhe se qëndrimet nuk janë shqetësuese.

 

Ju ftoj ta lexoni mirë raportin e FMN. Si FMN, si Banka e Shqipërisë dhe ministria janë në një mendje kur thonë se Shqipëria e kaloi me sukses efektet e pandemisë dhe tërmetit dhe tashmë jemi përballë një krize të tretë sic është ajo e energjisë për të cilën kemi marrë masat për të mos rënduar më tej kostot ndaj qytetarëve.

 

Një ditë më parë FMN në qëndrimin e saj kishte një sërë kritikash për qeverinë që po përdor fonde buxhetore për projekte jo prioritet dhe në mungesë transparence.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re