Këshilli i Ministrave ditën e sotme ka miratuar një fond shtesë në buxhetin e shtetit për subvencionimin e pagesave të qirasë për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në vendimin e qeverisë thuhet se efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021. Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe betohet në Fletoren Zyrtare.

V E N D I M:

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR SUBVENCIONIMIN E PAGESAVE TË QIRASË PËR FAMILJET E MBETURA TË PASTREHA, SI PASOJË E FATKEQËSIVE NATYRORE, TËRMETIT TË DATËS 26.11.2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.37, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për një ndryshim në aktin normativ nr.8, datë 7.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në programin e strehimit, shtohet fondi prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, përkatësisht, në produktin për pagesat e subvencionimit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019.
Efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re