Sikurse ishte paralajmëruar, rreth orës 17:00 para kryeministrisë shoqëria civile dhe qytetarët u mblodhën për të protestuar për rritjen e çmimit të ushqimeve të shportës dhe të karburantit.

Një qytetar në protestë është shprehur se një nga pikat e tyre, është plotësuar ndërkohë që do vazhdojnë të protestojnë deri sa të plotësohen të gjitha kërkesat.

“Janë dhe kushtet atmosferike që kanë ndikuar, por plus është dhe herët. Shpresoj që të bashkohen. Një ndër pikat që mendojmë që u reflektua është çmimi i energjisë elektrike. Ne protestojmë për ushqimet e shportës që janë rritur të gjitha. Për nivelin e çmimit të karburanteve. Këto janë pikat kryesore që ndikojnë në jetën e çdo shqiptari. Ja kur jemi sot në orën 17:00 dhe këto do të vijojnë deri në atë pikë, kur do të plotësohen pikat tona”, tha një protestues.

Ndërkohë aktivisti, Ervin Goci, tha se duhet të dalin çdo ditë në shesh e të protestojnë, derisa problematika të zgjidhet.

“Protesta do të vazhdojë, me intensitet, do të vazhdojë çdo ditë sepse protesta është i vetmi mjet që ne kemi, të cilin na kanë lënë dhe ne mund të themi fjalën tonë. Po të shohësh me kujdes, dritaret e kryeministrisë janë të mbyllura dhe kjo tregon që s’duan të na dëgjojnë. Problemi është që kriza nuk është prodhuar në Milano, në Londër, por është këtu brenda. Le ta marrim sikur do të kemi energji. Kryeministri e tha këtë, por problemi është që biznesi, një pjesë e popullsisë do e paguajë më shpejt. Nuk është e vërtetë që do të rritet për ata dhe s’do të rritet për ne.”, tha Goci.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re