Autoriteti i Dosjeve është struktura e miratuar në prill të vitit 2015 në Kuvendin e Shqipërisë. Me mision të qartë për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ky autoritet mbledh, administron, përpunon, përdor dhe informon mbi dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944-1991.

Që prej asaj kohe e deri më tani janë përpunuar shumë dosje dhe shumë zyrtare kanë lënë detyrat për shkak të së kaluarës, por më problematikë janë shfaqur disa personazhe që janë pjesë e strukturave të Drejtësisë.

Autoriteti i Dosjeve deri në 31 mars 2020 për vettingun në drejtësi konkretisht Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Këshillin e Lartë Gjyqësor, SPAK dhe prokurori janë verifikuar gjithsej 481 kandidatë, nga të cilët 11 figurojnë me dokumente, pra kanë ish-punonjës apo bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Ndërsa sipas këtij Autoriteti 470 rezultuan të pastër.

Gjithashtu deri më 31 mars 2020 për vettingun në Polici janë verifikuar 78 kandidatë, nga të cilët 5 figurojnë me dokumente. Vendimet përkatëse u janë dërguar institucioneve dhe janë publikuar të shkurtuara në faqen zyrtare të Autoritetit.

Por, ligji ka pasur edhe shtesa në muajin nëntor të vitit 2016, ku Kuvendi i Shqipërisë votoi edhe pesë anëtarët e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit si edhe kryetaren e këtij Autoriteti, duke i hapur kështu udhën fillimit të punës për ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe përballjen me të kaluarën e tyre gjatë regjimit totalitar në Shqipëri.

Verifikimi i pastërtisë së figurës së zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë është një nga elementët e rëndësishëm të punës së kësaj strukture, në kuadër të drejtësisë tranzicionale.

Dy ditë më parë Parlamenti rrëzoi nismën e paraqitur nga deputeti Myslim Murrizi, i cili kërkonte përjashtimin nga postet drejtuese të zyrtarëve në të administratën e lartë dhe nga politika të atyre personave që kishin pasur një të kaluar të errrët, pra kishin qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit. Argumenti kryesor i mazhorancës ishte se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që nuk e lejon një ndëshkim të tillë, pasi kemi të bëjë shkeljen e së drejtës për t’u zgjedhur.

Ndryshimet në ligjin e dosjeve

Ndryshime për mirëfunksionimin e punës janë kërkuar edhe në ligjin specifik të AIDSSH, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me saktësimin e informacionit mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, prej nga kanë ardhur veprime interpretuese të gjykatave mbi vendimet e Autoritetit, ndaj synohet përmirësimi dhe pasurimi i korpusit ligjor të AIDSSH.

Ndërkohë, AIDSSH, e mbështetur në vite nga partnerë e homologë për veprimtaritë komplekse, ka punuar sistematikisht për kthimin e vëmendjes në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, me aktivitete të përvitshme me praninë e të mbijetuarve të kampit dhe familjarëve të tyre, studiuesve, grupeve të interesit dhe të rinjve, për muzealizimin e tij dhe bërjen të vizitueshëm për të gjithë.

Historia e kampit të Tepelenës, ashtu si historitë e përndjekjes së familjeve, intelektualëve, elitës, e shumë të tjerëve, që në moshë të mitur e përgjatë gjithë jetës, “lufta e klasave” dhe pasojat e saj gjatë diktaturës gjysmëshekullore nuk njihen sa duhet nga shoqëria e sotme shqiptare dhe kryesisht të rinjtë. Kjo për shkak të mungesës së trajtimit të plotë në kurrikulat shkollore të narrativës së komunizmit, e cila, duke u trajtuar e bazuar në fakte historike dhe dëshmi, ndihmon në mospërsëritjen e gabimeve në të tashmen.

 

 

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re